Kukës, Apeli refuzon kërkesën e Isës, lë në fuqi masën e arrestit me burg

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzon kërkesën e Begzim Isës për ta liruar. Isa, studenti që akuzohet se ka rrëmbyer një 7-vjeçar për qëllime trafikimi, nuk kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila e kishte lënë në burg.Begzim Isa u arrestua mbi akuzën e rrëmbimit të një 7-vjeçari në Kukës në fillim të muajit Prill. Për të u vendos masa e arrestit burg pa afat, masë që e la në fuqi dhe Gjykata e Apelit.Sipas Policisë së Kukësit Begzim Isa, ka rrëmbyer 7-vjeçarin A.F, pasditen e së premtes, me qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës. Policia thotë se 20-vjeçari ka pasur si qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës për një shumë të konsiderueshme deri në 40 mijë euro.Vetë i riu nuk e ka pranuar akuzën dhe po kështu familjarë të tij kanë dalë në mbrojtje të të afërmit duke akuzuar policinë se nuk ka hetuar mjaftueshëm për të ngritur këto akuza.Arrestimi i Isës zgjoi shpresat dhe për vajzën e humbur 3 vite më parë në Zapod të Kukësit, Bleona Matën. 6-vjeçarja u zhduk në mënyrë misterioze rreth orës 17:00 të datës 22 maj të vitit 2010, ndërsa për zbardhjen e së vërtetës u angazhuan shumë forca policie.