Librazhd, sherr në tenderin e shfrytëzimit të pyjeve, një person qëllon me pistoletë
Policia e Elbasanit ka fshehur incidentin e ndodhur të hënën gjatë një tenderi për pyjet. Tenderi i zhvilluar mesditën e së hënës nga Drejtoria e shërbimit të pyjeve në Librazhd, për një parcelë pyjesh në fshatin Kosenj, ka përfunduar me përplasjen mes dy firmave garuese.Dy drejtuesit e firmave private përkatësisht me inicialet SH.A nga Librazhdi dhe A.K nga Tirana, kanë qënë kundërshtarë për fitimin e tenderit. Pas nisjes së tenderit të dy firmat kanë paraqitur dokumentacionet e plotësuara në mënyrë të saktë.Por situata është acaruar, pasi drejtuesit e firmave garuese janë konfliktuar në mënyrë verbale, situatë e cila është agravuar më tej, kur përplasja mes tyre ka kaluar në mënyrë fizike. Pasi janë konfrontuar mes tyre njëri prej drejtuesve ka nxjerr armën, duke qëlluar në ajër.Por edhe pse policia e Elbasanit ka shkuar në vendngjarje , ajo nuk ka reaguar për incidentin e ndodhur, i cili është bërë i ditur një ditë më vonë, pasi korrenspondenti i Ora News, informoi për ngjarjen e ndodhur.Nga forcat blu është deklaruar se të dy personat janë mbajtur për rreth 1 orë, por nuk janë ndëshkuar për vepër penale, pasi janë sqaruar mes tyre. Ndërkohë seanca e papërfunduar e tenderit është shtyrë për një afat ende të papërcaktuar.