Projekti i Kalasë së Lezhës, nga një arkitekt pa licencë

Vendimi i MTKRS për t’i hapur rrugë dhënies me qira të Kalasë së Lezhës, sjell në vëmendjen e publikut një skandal të ri. Vitin e kaluar, kur Forumi i Trashëgimisë Kulturore denoncoi këtë projekt si të papranueshëm për një qendër historike me rëndësi ndërkombëtare, MTKRS prezantoi projektin e arkitektit Reshat Gega si një projekt shumë ambicioz. Një sërë emrash të njohur të Trashëgimisë Kulturore folën publikisht kundër këtij projekti, duke denoncuar faktin se Kalaja e Lezhës do të shndërrohej në një pikë biznesi dhe jo në një qendër të rëndësishme të turizmit kulturor në shërbim të komunitetit.Zërave kundër këtij projekti iu përgjigj arkitekti Reshat Gega, i cili e mbrojti projektin e tij si një vepër që do t’i hapte rrugën rivitalizimit të kësaj kështjelle në mënyrë bashkëkohore (sigurisht duke shtuar edhe një fushë tenisi në majë të Kalasë).Ditët e fundit, ky projekt u risoll në vëmendjen e publikut me firmën e ministrit të ri Zhiti, por çuditërisht askush nuk foli për hartuesin e këtij projekti, arkitektin Reshat Gega.Arkitekti Gega ka gati një vit që qëndron larg projekteve të restaurimeve, pasi Këshilli i Lartë i Restaurimeve i ka hequr licencën për arsye të dëmtimeve të monumenteve të kulturës. Arkitekti Gega, i cili ka vite që punon për një firmë të lidhur fuqimisht me rrethin e FAMILJES, ka qenë një prej përfituesve kryesorë të fondeve të restaurimeve në qytetin e Gjirokastrës. Restaurimet e bëra me një cilësi shumë të ulët dhe me kosto shumë të larta nuk kanë lënë asnjë gjurmë në monumentet e Gjirokastrës. Edhe pse ndaj arkitektit Gega ka një denoncim publik të bërë nga drejtuesi i Misionit Italian që punon në Manastirin e Mesopotamit, prof. Machiarela për dëmtim të pakthyeshëm të Kishës së Shën Nikollës, përsëri ky arkitekt ka qenë fituesi i shumicës së tenderave në Gjirokastër.Por duket se problemet e tenderave të dhënë nga mirëbërësit e tij të MTKRS i kanë sjellë edhe telashe, duke i hequr përfundimisht licencën e aktivitetit.Pra, ne sot kemi një projekt të hartuar nga një arkitekt, i cili është shpallur nga MTKRS si dëmtues i monumenteve, fakt ky i përsëritur edhe nga ish-ministri Bumçi në debatin e Komisionit të Mediave.Lind pyetja, si ka mundësi që Këshilli i Lartë i Restaurimeve kalon një projekt të një arkitekti që po ky Këshill i ka hequr licencën? A është e mundur që një arkitekti që i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit, të ushtrojë tashmë rivitalizimin e një prej kështjellave më të rëndësishme të Ballkanit?Në çfarë kriteri shkencor Këshilli i Lartë i Restaurimeve ka vendosur që projekti i hartuar nga një arkitekt pa licencë të kalojë si projekt restaurues?A do të pranonte dikush të operohej nga një doktor që i është hequr licenca se ka sëmurur më keq pacientët e tij?Sigurisht që jo. E pra, arkitektit Gega i është hequr licenca pikërisht se ka sëmurur më keq monumentet, të cilat i ka pasur ligjërisht në mbikëqyrje.Ky skandal i radhës në gjirin e Ministrisë së Kulturës tregon gjithnjë e më shumë se sa keq dhe sa në mënyrë korruptive menaxhohet trashëgimia jonë kulturore. Për të gjithë është e qartë se ky projekt nuk kërkon të shpëtojë Kalanë e Lezhës, por është qartësisht një projekt korruptiv në dëm të vlerave të trashëgimisë kombëtare.Burimi : panorama.com.al