Akuzat për fëmijët e Kryeministrit, gjobitet Balla: Gjyqtari pret gradimin nga Berisha
Nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e Gjykatës së Tiranës për ta gjobitur me 2 milionë lekë pas akuzave në adresë së vajzës së kreut të qeverisë, Argita Malltezi. Deputeti socialist Taulant Balla, në një reagim të tij fill pas vendimit të gjyqësorit, nuk ka nguruar ta quajë Gjykatën e Tiranës një aneks të kuzhinës së punëve të pista të kryeministrit Sali Berisha.“Pas një procesi gjyqësor tërësisht qesharak, ku gjyqtari prej ditës së parë u pozicionua qartë si një avokat i Shkëlzen Berishës, sot ky gjyqtar, Ridvan Hado, vendosi të vlerësojë se shqetësimet mendore të djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, të shkaktuara nga akuzat e mia për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm kushtokan 2 milionë lekë”- thekson Balla në deklaratën e tij.Ridvan Hado, vijon Balla, i dha qartë provat e besnikërisë, tani pret gradimin nga babai i Shkëlzenit.“Gjyqtari i keqpërdorur në rastin e dënimeve qesharake për tragjedinë e Gërdecit, megjithëse i bindur në vërtetësinë e provave të paraqitura për pasurimin e paligjshëm të djalit të Kryeministrit, la të kuptohej se kreu edhe këtë shërbim me qëllim marrjen në konsideratë të kërkesës së tij nga babai i Shkëlzenit për një vend të lakmuar në Gjykatën e Apelit apo të Lartë”shprehet më tej ai.Përkundër vendimit, Balla shprehet se nuk tërhiqet nga akuzat e bëra publike, duke theksuar se mje ardhjen në pushtet pas 23 qershorit do ti zbardhin të gjitha të vërtetat e pasurimit të tyre të paligjshëm.