Berisha përuron doganën e re: U trefishuan investimet, Rama premton kaos

Kjo është pamja e periferisë së vorës 3 muaj më parë, kur hidheshin themelet e doganës së re. Por sot situata është krejt ndryshe. Në një kohë rekord biznesit shqiptar I është ofruar dogana më moderne e gjithë rajonit të Ballkanit, duke lënë pas atë kaos që mbizotëronte në doganën e vjetër. Në cermeoninë e inagurimit të terminalit, kryeministri Sali Berisha, ndërsa vlerësoi punën e kryer për përfundimin e punimeve për doganën u kërkoi administratës së doganave më shumë transparencë dhe shërbime më të mira për biznesin.“Ky kompleks është një terminal dinjitoz që u ofron biznesmenëve shërbimet më të mira, por thjesht i ofron shërbimet e merituara.Ju të gjithë e dini që çelësi i suksesit tuaj qëndron në liritë tuaja, qëndron në respektin e lirisë së tregut. Dhe ju këtë kërkoni. Edhe ne këtë përpiqemi të bëjmë. Unë e di se në veprimtarinë tuaj të përditshme përballeni me arbitraritete të punonjësve të administratës, të punonjësve të doganave, të tatimeve, por ju siguroj se punonjësit e administratës, të doganave dhe tatimeve do të bëjnë gjithçka për transparencën më maksimale në marrëdhëniet me ju. Punonjësit e doganave, të sistemit tatimor, punonjësit e sistemit të ministrisë së Financave janë institucionet që kanë bërë transformimet më të mëdha. Kjo është një meritë e madhe, por natyrisht janë institucionet të cilat duhet të përmirësojnë më tej punën e tyre” tha Berisha.Po ashtu shefi i qeverisë ka sulmuar koalicionin e majtë si një alternativë që sjell kaos për biznesin, ndërsa tha se taksa progresive e Partisë Socialiste është armiqësi që i adresohet drejtpërdrejtë biznesit.“Në marrëdhëniet tona mund të ketë arbitraritete, mund të ketë kundërshti, por një gjë duhet ta keni të sigurt, ka dhe do të ketë vetëm qëndrim miqësor; ka dhe do të ketë përpjekje më të madhe për mjedisin më miqësor të suksesit të investimeve dhe veprimtarisë tuaj. Kjo është alternativë e provuar. Me këtë alternativë, në vitet më të vështira të historisë ekonomike të Evropës dhe më gjerë, në Shqipëri bizneset pothuajse janë dyfishuar. Kjo alternativë, në kulmin e një krize, ka bërë që ky vend të mbi trefishoje investimet krahasuar më para vitit 2007. Në katër vitet e fundit Shqipëria ka marrë 4.2 miliardë dollarë investime të huaja. Cila është alternativa tjetër? Ajo është alternativa e kaosit. Por kaosi është rrënimi i biznesit. Historia e ligjit është se ligji lindi aty ku lindi biznesi. Ligji lindi për të rregulluar marrëdhëniet e biznesit, si marrëdhënie themelore të shoqërisë njerëzore, të njeriut. Ai një ditë thotë do të vë taksën progresive. Kur i reagojnë, thotë jo, do ta vë taksën progresive vetëm për të ardhurat personale. E njëjta gjë është kjo. Taksa progresive është armiqësi ndaj biznesit, është një armiqësi e hapur ndaj tij”theksoi Kryeministri.Shefi i qeverisë premtoi heqjen e çdo pengese dhe thithjen e potencialit të biznesit, si dhe theksoi se dialogu konstant me biznesmenët është i vlefshëm për suksesin e mëtejshëm.