Idrizi te Kristal: Bashkimi kombëtar, jo propozim por detyrim
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Kristal, në kuadër të aktiviteteve me temë “Çështja kombëtare dhe politika shqiptare”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Idrizi u prezantoi studentëve programin e PDIU-së si edhe platformën elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Idrizi kritikoi politikën shqiptare, e cila shpesh herë intimidohet ndaj idesë së bashkimit kombëtar, një detyrim kushtetues ky, që duhet të gjente përkrahje të plotë të gjithë skenës politike. Ai theksoi se është koha që Shqipëria dhe trevat shqiptare në Ballkan të zhvillojnë një bashkim ekonomik, arsimor dhe kulturor të shpejt, si parakusht i aspiratës për identitet dhe bashkim kombëtar.
Kreu i PDIU-së vendosi theksin në raportet me fqinjët, e sidomos me Greqinë, e cila ende refuzon ti japë zgjidhjen që I takon çështjes çame. Ai deklaroi se çështja çame është në rrugën e pakthimtë të zgjidhjes, nëpërmjet institucioneve dhe të drejtës ndërkombëtare dhe cilido politikan mendon se Greqia është pararojë e integrimit të Shqipërisë në BE, në fakt sheh në vlera të cilat nuk përputhen me Bashkimin Evropian.
“Ne duhet të jemi krenar që jemi shqiptar. Ne duhet ta themi se aspiratë e jona është bashkimi kombëtar. Askush nuk mund të na indimidojë. Mbi të gjitha duhet të lexojmë Kushtetutën e Shqipërisë, që në preambulën e saj, një burrë i mençur si Sabri Godo, ka përfshirë që të gjithë jemi të detyruar të punojmë për aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitet dhe bashkim kombëtar. Sigurisht që kjo ha debat. Sepse ne besojmë në demokraci, ne besojmë në institucionet dhe të drejtën në demokraci. Këto janë të drejta që ne na jep demokracia dhe liria. Ne jemi një komb në mes të Evropës dhe nuk mund të intimidohemi nga dikush që mendon se qendra e Evropës është Athina. Ne e kemi me shpinë Greqinë, unë personalisht e kam me shpinë Greqinë dhe përballë kemi Evropën dhe vlerat evropiane. Në këtë kuadër edhe çështja çame do të zgjidhet.” – tha Idrizi.
Idrizi iu përgjigj pyetjeve të studentëve, në lidhje me çështjen kombëtare dhe çështjen çame në veçanti, pasi rreshtoi arritjet e bilancit mbi punën e kryer nga PDIU në katër vitet e fundit, si edhe shprehu bindjen se pas 23 qershorit PDIU do të jetë një factor kyç në parlamentin shqiptar.