Berisha: 23 qershori, disfata e radhës për Edi Ramën

Kreu i qeverise, Sali Berisha ka vijuar me turin e inaugurimeve ndërsa sot ka marrë pjesë në  rikonstruksionin e rrugës Lis-Ura e Matit.Në fjalën e tij, shefi i qeverisë nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama duke theksuar se 23 qershorit do të jetë dita e disfatës për të ."Kreu i opozitës rreh gjoksin se bllokoi tre ligjet; rreth gjoksin se bllokoi ndërtimin e qindra kilometrave të rrugë që do të ishin shtruar me fondet e Bashkimit Evropian; rreth gjoksin se bllokoi dhjetëra-mijëra vende punë që do të krijoheshin me fondet e Komisionit Evropian; rreth gjoksin se do të ndërtoheshin dhjetëra ujësjellës dhe shkolla të reja më ato fonde. I privoi qytetarëve të këtij vendi qindra milionë euro investime.  Por cili është modeli i tij? Modeli i tij është ai model për të cilin qytetarët e Tiranës i thanë vetëm një fjalë: rrotacion! Tirana i bëri atij rotacionin dhe ai kujton se tani do të kthehet nga dritarja, kur Tirana e përcolli nga dera. Zoti Rama, ti bllokove me tre ligjet, por 23 qershori është dita e gjykimit të qytetarëve shqiptarë, dita e verdiktit dhe do të kesh asgjë më shumë se disfatën e radhës. Ti je mësuar nga disfata në disfatë, nga humbja në humbje. Prite humbjen e radhës. Lexoni vetëm për dy persona, por kryesisht për njërin, për Koço Kokëdhimën. A ju kujtohen çatitë që binin mbi kokat e nxënësve në shkollat e Tiranës? Ato ishin tenderë të fituar nga zoti Kokëdhima. A ju kujtohen pallatet që i kanë zënë detin Himarës? Ato janë pallate të ndërtuara nga Koço Kokëdhima. A ju kujtohen të gjitha reklamat e Tiranës? Ato janë reklamat që zoti Rama i ndau me zotin Kokëdhima. Zoti Rama, në qoftë se qytetarët e Tiranës modelin Rama – Kokëdhima e flakën në Lanë, kujton ti se do ta kapërdijnë shqiptarët atë model? Kurrën e kurrës! Je më i pashpresë se kurrë” theksoi Berisha.Kryeministri gjithashtu ka shprehur mirënjohjen ndaj banorëve të Matit për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Partisë Demokratike ndërsa premtoi më shumë investimet gjatë 4 viteve që vijnë.“Sot inaugurojmë rrugën që ju lidh ju me aksin kombëtar, rrugën që i jep vlerë të veçantë të gjithë territorit ku ajo kalon, rrugën që sjell zhvillim, punësim. Ne do bëjmë shumë më tepër për ju gjatë mandatit të ardhshëm. Unë ju garantoj ju se 4 vitet që vijnë investimet do të jenë mbi 3 herë më të mëdha. Unë e di që kemi ndërtuar shumë rrugë por kemi shumë për të ndërtuar” tha Berisha.Ai ka theksuar se PD-ja nuk kërkon votën për atë që ka bërë por për investimet që do të bëhen në të ardhmen. Sipas kryeministrit, alternativa e PS-së është mohim, mashtrim, bllokim.