Bushati: Qeveria 8 vjet investime në funksion të votave, “luftë” monopoleve
Rilindje jo vetëm të politikës por edhe të ekonomisë. Këtu konsiston filozofia e ofertës së PS për të Rilindur Shqipërinë pas 23 qershorit. Sekretari për ekonominë në PS, njëhrësh edhe kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, Ervin Bushati, e vlerësoi pozitive fokusimin e politikës në orientimin ekonomik.“Debati mbi ekonominë është ajo që i duhet tregut, është problematike dhe do zgjidhje. Është shenjë emancipimi, kanë filluar të reagojnë ndaj kërkesave të tregut. Është lajm i mirë që politika është fokusuar në orientimin ekonomik. Kjo po ndodh në gjithë botën. Oferta e PS është e realizueshme po ta mendojmë të shohim një rilindje edhe të ekonomisë jo vetëm në politikë, aktualisht s’kemi një ekonomi në vetvete, jemi në garë me rajonin e më gjerë. Nëse ne mendojmë se mund ta rilindim do ndryshojë zhvillimi ekonomik,do ketë më shumë prodhim, si rrjedhojë do ketë më shumë mirëqënie edhe për qytetarët” tha ai.Teksa natyrshëm lind pyetja se ku do ti gjejë paratë qeveria e re socialiste nëse e kalon testin e 23 qershorit, ndërkohë që premton taksa më të ulëta për qytetarët, Bushati thekson se duhet një orientim më i mirë dhe i drejtë i investimeve.“Buxheti kudo mbushet nga taksat, në gjithë këto vite kontributi që merret nga biznesi ka ngelur në nivelet 26-27% .Ne jemi në mënyrë të vazhdueshme në fushatë, janë bërë shpesh investime që nuk janë kthyer, por janë marrë vota më shumë. Këto para shpërdorohen, duke u hedhur në periudha para fushatave dhe këto nuk absorvohen mirë nga sistemi në mënyrë që të japin rendimentin e tyre. Kjo lë vend dhe për abuzime, nëse duhen bërë tenderat 2-3 muaj para zgjedhjeve kjo natyrisht që lë vend për abuzivizëm” u shpreh Bushati.Në programin e ekonomik të PS detyra urgjente për zgjidhje do të jetë thyerja e monopoleve dhe hapja e tregut. Një vullnet i mirë politik, vendosja e shtetit ligjor, hapja e tregut dhe thithja e investimeve të huaja, sipas Bushatit do të përkthehet detyrimisht edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.“Në radhë të parë nuk duhet të përqëndrohemi te bizneset e mëdha, monopolet. Jemi dëshmitarë që kur në bursat ndërkombëtare bien cmimet kjo nuk pasqyrohet në Shqipëri. Duhen thyer monopolet. Cdo gjë e rëndësishme është e vështirë, shumë shtete kanë bërë lufta, por sundimi i ligjit, vullneti politik, hapja e tregut, janë ilacet për kurimin e këtij problemi. Me thyerjen e monopoleve do hapet një front i madh,ata paguhen nga shqiptarët. Sot mendojnë të gjithë se punësimi është problem dhe kjo ndihet. Kriza padyshim e bën edhe më të vështirë. Në rastin e një vullneti politik, me vendosjen e shtetit ligjor, hapjen e tregut, thithjen e investimeve të huaja do të bëhet e mundur edhe hapja e vendeve të reja të punës. Fasoni është një vend ku mund të punësohen. Shqipëria do dalë nga rrethi vicioz që të ketë një kapital pune të kualifikuar. S’mund të vijë kompania e huaj kur nuk di e kujt është prona, kur s’ka stabilitet të qartë, tregu duhet të jetë larg ndikimeve politike” tha më tej sekretari për ekonominë në PS.Trazirat brenda selisë rozë pas zyrtarizimit të listave, Bushati i cilësoi më tepër zhurmë mediatike, pasi sipas tij baza e PS nuk qan shumë kalorësin se i varen këmbët.“Sapo vij nga fushata në njësinë bashkiake nr 8, aty ku edhe kandidoj. Ndonjëherë ato që shikojmë në media kanë më tepër rezonancë sesa në bazën e PS. Sot problem është qeverisja, niveli ekonomik, vështirësitë e përditshme, sa njerëzit nuk janë kaq të fokusuar në këtë pikë sa ne mendojmë. Baza e PS nuk e kanë këtë problem, nuk e qajnë shumë kalorësin se i varen këmbët. Sfida është e PS, Kryeministrit të ardhshëm dhe cdo anëtari të PS, s’ka lidhje me renditjen në lista. Ky tranzicion duhet të marrë fund, duhet të jemi më pranë Europës dhe mos të merremi me sherre. Njerëzit janë të lodhur nga ky agresivitet në politikë, Berisha po perëndon” përfundoi Bushati.