Kuvendi nuk hodhi në votim 3 ligjet, Berisha: Shkak pazaret e listës së zezë PS-LSI
Parlamenti nuk votoi as sot 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Deputetët e Partisë Socialiste braktisën sallën e Parlamentit në momentin kur pritej të votoheshin 3 ligjet.Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha ka akuzuar opozitën se po i kthehen 3 ligjet e integrimit në lista pazaresh.Duke folur në seancën plenare, kryeministri Berisha theksoi se ligjet nuk do të miratohen pa u përmbyllur më parë listat e zeza të kandidatëve për deputetë."Ju i keni bërë çështje pazaresh. Dhe unë një kërkesë kam për Ilir Metën i cili që nga janari i 2012-ës deri ditën e aleancës së tij ftonte Ramën që të votonte 3 ligjet tani fton Berishën që të votojë pavarësisht që Berisha ishte ai që kërkonte miratimin e tyre. Unë i kërkoj të mos i shndërrojë ligjet në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështesve të tij. Të vij këtu sepse kjo votë nuk mund të konceptohet si pazare. Tani është bërë lista e zezë se cilët pranohen dhe cilët nuk pranohen nga LSI-ja. Listën e zezë ia ka dorëzuar zoti Rama dhe tani u shty votimi” tha Berisha.Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme në çdo kohë që të mbledhë Parlamentin dhe të votojë 3 ligjet e integrimit."Ne jemi të gatshëm ti votojmë edhe në mesantë. Përgjegjësia bie mbi njeriun që privoi shqiptarët nga qindra milionë euro të BE-së, përgjegjësia bie mbi dëmin kolosal që i bëri vendit ku shqiptarët nga të katër anët e botës kanë përsëritur refrenin se atë që i bëjnë shqiptarët Shqipërisë nuk ia bën asnjeri. Unë prita ti votonin por ata vazhdojnë ti kenë lista pazaresh. Pa përfunduar pazare ligjet nuk do ti votojnë. A e patë si ikën. Po flisnim për tre ligjet dhe ikën nga salla sikur të ishte futur ndonjë substancë apo halor të kafshëve në karriget e tyre. Ikën po karriget e tyre të lëna bosh flasin shumë më tepër. Ikën për të marrë me vete një përgjegjësi shumë të rëndë. Pavarësisht dëmeve ato duhet të votoheshin por pazaret nuk kanë përfunduar. Po halat do ti ngelen në fyt atyre” tha kryeministri