Koalicioni me PD, Nurellari: Imponim i kodit zgjedhor. PDIU do garojë në nivel kombëtar

Më shumë zgjidhje, sesa zgjedhje. Kështu do të mund të përkufizohej vendimi i Partisë për Drejtësi dhe Integrim për tu bërë pjesë e koalicionit parazgjedhor me PD. Në studion e RTV Ora News sekretari politik i kësaj partie, Andri Nurellari, deklaroi se aleanca me një nga “të mëdhatë” është një imponim nga kodi zgjedhor i miratuar nga dy blloqet kryesore të politikës. Në të tilla kushte, ai tha se PDIU mbetej më afër PD, si rezultat edhe mirëkuptimit të gjetur mbi kërkesat e kësaj partie rreth programit të saj, por edhe ato pragmatike si forcë politike.“Sistemi zgjedhor ka bërë që palët të jenë shumë pranë njëra-tjetrës, ajo që vihet re është një mungesë entuziazmi i elektoratit. Aktorët politikë janë duke investuar shumë tek diversioni për të sabotuar votat e kundërshtarit dhe kjo duket edhe në lista. Taktika e dytë është fakti se nuk ka shumë debate midis palëve dhe nuk është se zona gri është në qëndër të vëmendjes, pra po synojnë të mbajnë atë elektorat që kanë. PDIU është konsoliduar si parti, ka një program që e diferencon nga partitë e tjera, dallon nga debati politik i partive të tjera. Do kishim preferuar të garanomim vetëm në një sistem që e mundëson dicka të tillë.Të mos ishim pjesë e baltkadimit të dyfronteve. Ne kemi bërë të qarta disa kërkesa tona lidhur me programin por dhe kërkesa më pragmatiste sa i përket procesit zgjedhor dhe kjo na ka akomoduar më shumë me të djathtën” tha ai.Teksa aleatët kryesor të Partisë Demokratike në koalicionin parazgjedhor PDK e LZHK kanë pranuar faktin se do të jenë të përfshirë në listat për deputetë të Partisë Demokratike, edhe PDIU deklaron se nëse kjo mundësi do tu jepet partive të tjera do të jetë padiskutim edhe ajo. Sipas Nurellarit kjo është më e pakta që mund të bëhet nga PD, si një nga firmëtaret e kodit zgjedhor, për të kompensuar sadopak partitë e vogla dhe për ta maksimalizuar votat për koalicionin e djathtë.“Nuk është finalizuar, nëse u ofrohet partive të tjera ne do jemi patjetër. Është në interesin tonë që votat të materializohen deri diku. Nuk është se po na bën një nder, sepse faktikisht situata ku jemi është rezultat i kodit zgjedhor të miratuar nga PD-PS. Është në leverdinë etyre që PDIU të jetë e angazhuar në të gjithë vendin, pasi ato vota shkojnë brenda koalicionit të djathtë. Ne do garojmë në nivel kombëtar, do kemi përfaqësi në 12 qarqet e vendit. Është sfida më e madhe. E kemi provuar dhe në 2011. Jemi shumë entuziastë, kemi gjasa shumë të mira, shohim një mbështetje që sa vjen e zgjerohet” tha ai.Teksa ndezja e fushatës elektorale zbehu tonet nacionaliste të lidervë politikë në vend, në gjykimin e Nurellarit kjo kartë u përdor për të kompensuar mungesat e tyre si parti.“Deklaratat nacionaliste i kishin më tepër në kushtet e një pamundësie për ta joshur elektoratin me arritje apo për të pasur një lloj fisibiliteti me figurat e tyre politike, për të kompensuar mungesat që kanë. Ne si parti jemi koherentë, nuk u sigmatuam nga festimet e 100 vjetorit” u shpreh Nurellari.Dhe pse u duk se PDIU u lëkund nga vendimi për krijimin e një komisionin hetimor për të zbardhur të vërtetën rreth miratimit të rezolutës çame në 2004, Nurellari shprehu vendosmërinë për të ndërmarrë një hap të tillë fill pas riformatimit të parlamentit të ri në shtator.“Me të formuar parlamenti i ri do kërkojmë krijimin e një komisionin hetimor për të sqaruar e zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar. Duam të bëhet pas zgjedhjeve, s’duam të banalizohet si çështje. Me rëndësi është që shteti shqiptar të ketë kurajo ta ballafaqojë këtë cështje. Ka praktika europiane plot. Rezoluta e vuri në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare dhe duhet të shpërngulet nga kompleksi i inferioritetit. Jemi optimistë. Nuk kemi parë asnjë rast të vetëm të komunitetit ndërkombëtar të shfaqë një rezervë të vetme për këtë cështje. Momentin që Shqipëria do ta ngrejë si problem, kam bindjen se do të gjejë mbështetje të plotë” përfundoi sekretari politik i PDIU-së.