Tahiri: Kryeministri e Nul Moka, agjenci mortore për oficerët e policisë
Qeveria dhe vetë Ministria e Brendshme janë kthyer në një agjenci mortore për oficerët e rënë në krye të detyrës. Ky ka qenë reagimi i degës së Partisë Socialiste në Tiranë referuar ngjarjes së fundit, ku u aksidentua për vdekje një efektiv polici, ndërsa u plagos rëndë një tjetër. Kreu i PS për kryeqytetin, Sajmir Tahiri përmes një deklarate për mediat shprehet se oficerët e policisë si Selmani dhe kolegu i tij, janë braktisur rrugëve nga Kupola e Policisë së Shtetit, ndërkohë që vetë përfaqësuesit më të lartë të Kupolës, bëjnë ortakëri me krimin.“Dje humbi jetën e sot u përcoll për në banesën e fundit, një tjetër oficer policie. Selman Lena u vra në krye të detyrës dhe efektivi Lleshi është ende në gjendje të rëndë shëndetësore.Bashkë me Selmanin dhe kolegun e tij Lleshi, dje është vrarë shpirti i skuadrës së Policisë së Shtetit. Ata që vranë Selmanin, kanë kohë që kanë vrarë frikën prej forcës së ligjit dhe Policisë së Shtetit. Prandaj sot marrin guximin të vrasin vetë mbrojtësit e ligjit, efektivët e Policisë së Shtetit.Ata që vranë Selmanin dhe plagosën kolegun e tij, kanë kuptuar se oficerët e policisë nuk janë më njerëzit që garantojnë ligjin në emër të shtetit dhe qytetarëve, por individë të tradhtuar nga Kryeministri dhe Kupola e Policisë, brenda një uniforme të zhubravitur, që jo vetëm nuk kanë mbrojtjen e shtetit në luftën e tyre kundër krimit, por akoma më keq, kanë mbrapa familjet e tyre që as me bukë nuk i mbajnë dot. Sepse kanë kuptuar që oficerët e policisë si Selmani dhe kolegu i tij, janë braktisur rrugëve nga Kupola e Policisë së Shtetit, ndërkohë që vetë përfaqësuesit më të lartë të Kupolës, bëjnë ortakëri me krimin.Qeveria, Kryeministri, Nul Moka e gjithë të tjerët, janë bërë si agjenci mortore me ngushëllimet e rastit për oficerët e rënë në krye të detyrës. Këta që nuk garantojnë dot jetën dhe nderin e efektivëve të policisë për së gjalli, mjaftohen t’u garantojnë nderin e ceremonisë mortore për në botën tjetër. Sepse krimi nuk ka më frike nga shteti, kriminelët nuk kanë më frike nga ligji, nuk kanë më frikë nga Policia e Shtetit”deklaron Tahiri.“Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Selmanit dhe shërim të shpejtë për efektivin Lleshi! Edhe në emër të kolegëve të mi deputetë, në emër të anëtarëve të PS, por besoj dhe në emër të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi që me këtë situatë alarmante dhe rrezikun e përditshëm për jetën dhe pronën, nuk pajtohen dot” thekson më tej ai.Deputeti Tahiri garanton se PS pas 23 qershorit do të angazhohet të rilindë misionin dhe shpirtin e skuadrës së Policisë së Shtetit.“Në emër të gjithë këtyre, pas 23 qershorit, ne angazhohemi të rilindim misionin dhe shpirtin e skuadrës së Policisë së Shtetit. Do rikthejmë sigurinë për qytetarët, duke larguar militantët dhe amatorët, duke mbrojtur profesionistët dhe oficerët e devotshëm të Policisë së Shtetit e duke goditur me gjithë forcën e ligjit, cilindo që do guxojë të prekë jetën dhe pronën e qytetareve. Dhe me më shumë forcë, ata që do guxojnë të prekin efektivët e policisë!Pas 23 qershorit, do i japim fund tradhtisë së efektivëve të Policisë së Shtetit duke rilindur një Shqipëri më të drejtë dhe më të sigurt” përfundon ai.