PS akuza Berishës: Administrata shtetërore, nepotike dhe militante

Dështimet me administratën shtetërore janë një tjetër arsye sipas Partisë Socialiste për të mos votuar me 23 qershor Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha. Në një deklaratë për mediat, anëtarja e Kryesisë dhe kandidate për deputete të PS, Lindita Nikolla theksoi se situata me administratën publike sot është alarmante.“Sot na ndajnë dhe 49 ditë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votë të bashkuar do të largojnë Sali Berishën, kryeministrin e 100 dështimeve me të cilat ka rrënuar vendin. Sali Berisha Dështoi me Administratën Publike. Erdhi në pushtet me premtimin e madh një qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë. Premtoi se administrata do të reduktohej me 10% dhe shpenzimet administrative me 25%. Por nuk bëri asnjë nga këto, përkundrazi, situata me administratën publike sot është alarmante.Profesionistët dhe ekspertët u hodhën në rrugë, në kundërshtim me ligjin për t’u zëvendësuar me militantë partiakë që në mungesë absolute të meritokracisë vegjetojnë për tu aktivizuar në periudha fushatash elektorale. Këtë nuk e themi vetëm ne, por e ka nënvizuar me shqetësim dhe raporti i fundit i Komisionit Europian, i cili shton me tej se kjo administratë e ka tejet të vështirë të përmbushë detyrat që shoqërojnë përmbushjen e detyrimeve për të bërë përpara me integrimin europian.Sali Berisha premtoi se do të ngrinte Universitetin e Administratës Publike, por nuk e bëri. Ose gënjeu që në fillim, ose rrugës kuptoi se mes një administrate të dobët, shumë ministra (si muli) e zëvendësministra (si Nardi) do binin më pak në sy. Administrata e Berishës sot jo vetëm që është e paaftë, por është edhe më e korruptuara! Përveç Partisë Socialiste, këtë po e denoncojnë tashmë me shqetësim të gjithë, brenda e jashtë vendit. Qytetarët në masë absolute shprehin shqetësim kryesor korrupsionin” tha ajo.“Raporti i Komisionit Europian e ka vënë si kusht prioritar progresin në luftën kundër korrupsionit; raporti i departamentit të shtetit shprehet me shqetësim se korrupsioni ka kapluar çdo qelizë të institucioneve publike; dhe notën finale na e dha Raporti i Transparencës Ndërkombëtare duke na renditur si qeverinë më të korruptuar në Evropë e ndër më të korruptuarat në botë. Ky raport e rendit Shqipërinë në vendin e 113, në të njëjtin vend me Etiopinë, Guatemalën. Nigerin dhe Timor-Leste.Çdo vit, Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se miliona euro dëme i shkaktohen buxhetit të shtetit si rrjedhojë e shkeljeve ligjore dhe abuzimit me detyrën. Të gjitha rekomandimet e raportit për masat që duheshin marrë ndaj abuzuesve me paratë e qytetarëve shqiptarë, janë injoruar. Miliona Euro në vit të çuara dëm; në vend që të shkonin për një shkollë më shumë, një spital më shumë, një rrugë më shumë, qindra familje më pak të varfër.Administrata e Sali Berishës, përveç se e paaftë dhe e korruptuar, për fat të keq nuk arriti të ishte as e vogël. Zvogëloi numrin e ministrive, por katërfishoi numrin e zëvendësministrave. Gjeti një administratë me 119 mijë të punësuar buxhetorë, dhe po e lë me mbi 128mijë. Pra gati 10.000 më shumë militant të PD që presin urdhrin politik të radhës” nënvizoi Nikolla.Për Partinë Socialiste Rilindja do të nisë nga shndërrimi i administratë publike në një strukturë të aftë profesionalisht dhe të përgjegjshme, duke u ndarë një herë e mirë nga praktikat e mobilizimit partiak, nepotik e klientelist.“Do të krijojmë regjistrin e burimeve njerëzore të të gjithë personave të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Do të aplikojmë të gjitha parimet e menaxhimit të burimeve njerëzore, ku çdokush të mund të kontribuojë sipas aftësisë. Do të ndryshojmë rrënjësisht procedurat e përzgjedhjes dhe promovimit të nëpunësve publikë, si e vetmja mundësi për të garantuar qëndrueshmërinë dhe përgjegjshmërinë e administratës publike. Do të garantojmë transparencën e veprimtarisë së administratës publike si dhe përsosjen e marrëdhënies me qytetarin përmes dhënies së pandërprerë të informacionit dhe publikimit të tij” përfundoi Lindita Nikolla.