Majko i kërkon Thaçit shtetësinë kosovare

Ka shumë kosovarë që duan të marrin nënshtetësinë e Shqipërisë, por ka edhe shqiptarë që duan të marrin nënshtetësinë e Kosovës.Të paktën njëri prej tyre është ish- kryeministri Pandeli Majko, që ka vizituar Prishtinën, ku është pritur nga kryeministri Hashim Thaçi.“Sot pata emocionin e veçantë t’i ripërsërisë mikut tim, edhe kryeministrit të shtetit të Kosovës, që të më japi nderin dhe kënaqësinë që shpejt do të bëjë procedurat për të marrë shtetësinë e shtetit të Kosovës. Ka shumë qytetarë të Kosovës që duan të jenë shtetas të Shqipërisë, por mos harroni se ka edhe ca në krahun tjetër si puna ime, që këtë anë e konsiderojnë atdheun e tyre, popullin e tyre”, tha Majko.Sa i përket marrëveshjes, ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko  tani deputet i PS tha se marrëveshja midis Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar është një hap cilësor, i cili ka pasur reflektim jo vetëm dhe thjeshtë në marrëdhënien mes dy shteteve respektive, por në gjithë rajonin ka ofruar një cilësi të re.“...Është një moment jashtëzakonisht sfidues, por pa dyshim që ka një përkrahje të gjerë të të gjithë klasës politike... Në fakt, aktualisht sot që flasim, marrëveshja midis Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, është një hap cilësor i cili ka pasur reflektim jo vetëm dhe thjesht në marrëdhëniet në mes të dy shteteve respektive, por edhe në të gjithë rajonit ka ofruar një cilësi të re, pasi marrëdhënia midis shqiptarëve dhe serbëve mbetet marrëdhënia më problematike sot në rajon... Kështu që unë jam i prirur të shikoj me shumë vëmendje dhe me shumë optimizëm. Sigurisht pa shmangur edhe atë pjesën e thartë që ka çdo marrëveshje –negociatë, pasi në fund të fundit, negociata është negociatë dhe duhet të bësh kompromiset përkatëse” theksoi Majko.Ndërkohë vizitën në Kosovë të Zëvendëskryeministrit  serb, Aleksander Vuçiç, kryeministri i Kosovës e cilësoi në kuadër të angazhimeve për zbatimin e marrëveshjes dhe theksoi se kjo vizitë nuk do të pengohet nga institucionet e Prishtinës.