Serbët e veriut të Kosovës këmbëngulin: S’e pranojmë marrëveshjen
Kryetari ilegal i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiç, ka thënë se “nuk ka shanse” që serbët e Kosovës, të pranojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel.“Marrëveshja, e cila serbët do t’i vinte nën Kushtetutën dhe ligjet e Prishtinës, është e papranueshme për cilindo serb në Kosovë. Lufta jonë kryesore është që të mbetemi në sistemin e Serbisë, gjë që na garanton edhe Kushtetuta e Republikës”, ka thënë Ristiç për gazetën beogradase “Politika”.Serbët e veriut të Kosovës kanë kundërshtuar marrëveshjen, duke kërkuar fillimisht nga Beogradi refrendum për të, ndërsa Gjykata Kushtetuese e Serbisë që të japë mendimin në lidhje me ligjshmërinë e saj.Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të vizitojë Kosovën.Ristiç ka thënë se Vuçiç është i mirëpritur në veri të Kosovës, por ka këmbëngulur se qasja e serbëve nuk do të ndryshojë.Për Beogradin është i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjes me Kosovën, pasi synon që në muajin qershor të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.