Takimi Thaçi-Daçiç për implementimin e marrëveshjes më 13 maj?
Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç do të duhet të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në javën e tretë të majit. Kësaj radhe për të nënshkruar implementimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve.Lajmi është bërë i ditur nga mediat kosovare të cilat citojnë burime nga Brukseli.“Data 13 maj po shihet si më ideale për këtë takim. Prandaj po presim që Baronesha të jap konfirmimin për këtë datë”, ka thënë një zyrtar europian.Zyrtarisht nga zyra e Ashton nuk është folur rreth kësaj date, pavarësisht nuk është mohuar si e mundshme.“Ajo çfarë mund të them tani është se dialogu vazhdon në të gjitha nivelet”, tha Zëdhënësja e Baroneshës, Maja Kocijancic.Në anën tjetër, qeveritarët kosovarë po shfaqën të gatshëm që në çdo moment të udhëtojnë për në Bruksel për të nënshkruar dokumentin që siguron zbatimin e arritjeve në dialog.Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se implementimi mbetet prioriteti i ekzekutivit pas nënshkrimit të marrëveshjes.“Në takimin e fundit ne jemi marrë vesh që takimi i radhës të ndodh ndërmjet dy kryeministrave dhe zonjës Ashton ku do të diskutohet në detaje për planin implementues dhe ku pritet edhe të nënshkruhet plani implementues nga dy kryeministrat dhe zonja Ashton”, tha Kuçi.“Plani implementues është përafërsisht plani i përgjithshëm për implementim dhe kryeministrat duhet të vendosin edhe për afatet kohore kur do të implementohet e dhe për trupat implementues”, shtoi Kuçi.Ai tha se varet nga agjenda e baroneshës Ashton se kur do të mbahet ai takim mirëpo konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë.“Ne e kemi prioritet takimin dhe implementimin e marrëveshjes”, tha Kuçi.