Daçiç: S’e kemi shitur Kosovën

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se qeveria e tij “nuk e ka shitur Kosovën” dhe se “ajo është pjesë përbërëse e Serbisë”.I pyetur nga mediat serbe nëse Serbia ka tradhtuar luftërat ballkanike, Daçiç ka thënë se “territori i Serbisë sot është më i madh sesa në fund të atyre luftërave”.“Ne nuk e shesim Kosovën. Ajo është pjesë përbërëse e Serbisë, por duhet mbijetuar. Edhe në kohën e shumë pjesëtarëve të familjes Karagjorgjeviç, Kosova nuk ka qenë në Serbi, por e kemi kthyer”, ka thënë Daçiç.Të hënën, Daçiç ka thënë se organizimi eventual i referendumit për Marrëveshjen e Brukselit nuk do të duhej të shtynte zbatimin e saj.Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre më 19 prill, në Bruksel.Ideja për referendumin rreth marrëveshjes ka lindur pas takimit që liderët e komunave veriore të Kosovës kanë zhvilluar javën e kaluar me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Daçiç, përkatësisht Aleksandar Vuçiç.Liderët e komunave veriore të Kosovës kanë insistuar që Serbia të përcaktohej nëse është për marrëveshjen apo për mbajtjen e Kosovës në Serbi, pasi me marrëveshjen ata mendojnë se do të shkëputen nga shteti serb dhe do integrohen në shtetin e Kosovës.