Qeveria e Kosovës me plan për veriun, Kuçi: Brenda 90 ditëve, rezultate konkrete
Përderisa ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi mes kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç, Qeveria e Kosovës ka paraparë me planin e saj stopimin e aktivitetet të strukturave ilegale në veri të vendit dhe ndërtimin e strukturave të reja, sipas Kushtetutës së vendit, në mënyrë që brenda 90 ditëve rezultatet të jenë të prekshme në atë pjesë nga marrëveshjes e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.E përderisa disa subjekte politike mendojnë që implementimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë, por kërkojnë zbatim të shpejtë, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se me këtë marrëveshje po krijohen dy lloje të Kosovës, njëra këndej anës së lumit Ibër dhe njëra përtej këtij lumi.Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se ka qenë kërkesë e palës kosovare që pas ofrimit të një drafti që është bërë nga Fernando Gentilini, takimi tjetër të mbahet në nivel kryeministrash dhe shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton përcakton afatet kohore të qarta dhe i cili do të përafrohet nga dy kryeministrat dhe se Ashton do të jetë pjesë komplementare e marrëveshjes së përgjithshme.Sipas tij Qeveria e Kosovës respektivisht kryeministri i Kosovës është e gatshme kurdo që Ashton e përgatitë agjendën për një takim të tillë.Kuçi ka shtuar se Qeveria e Kosovës ka ofruar një plan të detajuar dhe një plan jashtëzakonisht ambicioz dhe praktikisht të implementueshëm."Janë dy drejtime veprimet që duhet të jenë: E para stopimi i atyre gjërave që kanë qenë deri më tani në kuptimin e strukturave ilegale, pastaj ndërtimin e strukturave të reja në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona. Ne kemi plan që brenda 90 ditëve të kemi veprime konkrete dhe të prekshme për veprime në atë pjesë të Kosovës. Por natyrisht besoj që ky plan do të harmonizohet në planin kohor edhe me palën e BE por edhe me atë serbe", ka theksuar Kuçi.Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati ka thënë se kuptimi i marrëveshjes është nëse implementohet edhe atë pa vonesa.“Kjo është vetëm një marrëveshje, sepse do të ketë dialog dhe bisedime edhe për tema të tjera dhe do t’i humbte kuptimi nëse shkohet në tema tjera derisa nuk është implementuar kjo marrëveshje çfarë po paralajmërohet se duhet të nënshkruhet dhe duhet të ratifikohet në Kuvendet reciproke”, është shprehur Ferati.Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se duhet të ketë një zbatim sa më të shpejt të kësaj marrëveshje, në mënyrë që të ketë kuptim kjo qëështë arritur me 19 prill.“Është e qartë se zbatimi nuk do të jetë i lehtë. Ka struktura paralele të cilat për një kohë të gjatë e kanë vendosur autoritetin e vet dhe kanë ndërtuar strukturat e veta. Mirëpo, mendoj se fillimi i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë i shpejtë, përndryshe nuk ka kuptim marrëveshja”, ka deklaruar Gjini.Por ndryshe mendon nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili thotë se me këtë marrëveshje po krijohen dy lloje të Kosovës.“Po na krijohen dy lloje të Kosovës. Një Kosovë deri në lumin Ibër, e cila qeveriset nga Plani i Ahtisaarit, dhe Kosova përtej lumit Ibër e cila qeveriset sipas Asociacionit të komunave serbe të Kosovës”, ka theksuar Konjufca.Deri më tani janë mbajtur 10 raunde të takimeve mes dy kryeministrave, ku ka rezultuar me arritjen e një marrëveshjes. Me 19 prill të dy kryeministrat vendosën inicialet e tyre në marrëveshjen e parë ndërmjet dy shteteve, ndërsa pritet që gjatë ditëve të ardhshme të vendosen e nënshkrimet në marrëveshjet e para.