Policia greke shkatërron rrjetin e drogës që kryesohet nga 3 shqiptarë
Policia greke ka asgjësuar një rrjet të trafikut të drogës që kryesohej nga tre shtetas shqiptarë në qytetin e Patras. Bashkë me tre shqiptarë janë arrestuar edhe gjashtë shtetas grekë, mes të cilëve një femër, ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe shtatë persona të tjerë.Sipas policisë, rrjeti dispononte një fermë në një fshat në afërsi të Patras, që e përdornin për të magazinuar drogën.Dje pasdite, aty u arrestua një shtetas shqiptar i moshës 32 vjeç, në automjetin e të cilit u gjetën 5,2 kg kanabis, të paketuara në shtatë qese plastike.Gjatë kontrollit në mjediset e fermës, u gjetën edhe 150 gramë heroinë e ngurtëzuar, e ndarë gjithashtu në qese plastike.Me ndihmën e qenve të specializuar në gjetjen e drogës, u gjet edhe një kuti e fshehur nën tokë, brenda të cilës ndodheshin qese me heroinë, me peshë të përgjithshme 2 kg e 480 gramë.Në të njëjtin mjedis trafikantët kishin krijuar edhe një laborator të thjeshtë për presimin dhe ambalazhimin e drogës.Përveç drogës, policia sekuestroi 23 telefona celularë, që përdoreshin gjatë trafikimit të drogës, gjashtë automjete, mes të cilave edhe një taksi, dhe një shumë prej 10.710 eurosh.Sipas policisë, rrjeti kryesohej nga tre shqiptarët, të cilët gjenin drogën dhe pastaj ua jepnin shtetasve grekë për t'i shpërndarë.