Berisha në Fushë Krujë: Na votoni për projektet që do realizojmë

Kryeministri Berisha ka inaguruar sot rikontruksionin e unazës së qytetit të Fushë Krujës.Në fjalën e tij kryeministri Berisha premtoi asfaltimin e çdo kilometër në rrugë në rrethin e Fushë Krujës ndërsa nuk la pa sulmuar edhe kryesocialistin Rama i cili sipas tij po bllokon integrimin."Do bëjmë gjithçka që në këtë qytet të asfaltohen çdo km rrugë që ka mbetur pa asfaltuar. Këto kanë qënë vitet e investimeve më të mëdha, vitet në të cilat janë rindërtuar rrugë, shkolla, kanalizme më shumë se asnjëherë në historinë e këtij rrethi. PD shkon drejt zgjedhjeve si një parti e premtimeve të mbajtura, si një parti e cila në një hark kohor 6-vjeçar realizoi ndërtimin e mijërave km rrugë. Ne shkojmë të sigurtë në fitore jo për ato që kemi ralializuar por për ato që do të realizojmë. Ne ia dolëm ta anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, ia dolëm të heqim vizat dhe të lëvizim të lirë. Gjatë kësaj qeverie ne ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandiat. Komisioni Europian rekomandoi Shqipërinë për vend anëtar të BE-së me kusht që të votohen 3 ligjet. Ligjet u bllokuan nga personi që ka vetëm interesa personale. Me bllokimin Shqipëria nuk mori statusin dhe humbi qindra milionë euro investime.  Emigrantët mbetën pa marrë të drejtën që iu takon, të rejat dhe të rinjtë nuk kanë mundësi që të shkollohen në universitet e BE-së. Po 23 qershori po vjen dhe çdo shqiptar do përdor votën e tij për projektin europian, për integrim, për statusin e vendit kandidat. Çdo shqiptar është ftuar në 23 qershor të votojë për punësimin pasi alternativa jonë është alternativa e punësimit" tha Berisha.Kreu i qeverisë u ka kërkuar votën qytetarëve jo për arritjet që janë bërë këto vitet e qeverisjes së djathtë por siç tha ai për projektet e mëdha që do të realizohen në të ardhmen."Ne nuk e kërkojmë votën për ato që kemi arritur, por e kërkojmë votën për gjithçka do të bëjmë katër vitet që vijnë. E kërkojmë votën, sepse katër vitet që vijnë ne do të garantojmë 250 mijë vende pune. Ne e kërkojmë votën, sepse në rast se katër vitet e shkuara ia dolëm të thithim 4 miliardë dollarë investime, në katër vitet që vijnë kemi të garantuara së paku 6 miliardë dollarë investime. Ne e kërkojmë votën, sepse katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve historike, projekteve të shekullit për Shqipërinë, projekti i kaskadës së Devollit, projekti i gazsjellësit trans-Adriatik, projekti i ndërtimit të dhjetëra e dhjetëra hidrocentraleve të tjera. Ne kërkojmë votën, sepse në rast se gjatë këtyre viteve kemi mbi dyfishuar rrogat dhe pensionet, ju garantojmë se do t’i rrisim ato gjithnjë e më shumë. Ne kërkojmë votën, sepse unë jam këtu për të garantuar të rinjtë e Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë se në rast se sollëm Shqipërinë në moxhën dixhitale, Shqipëria e katër viteve që vijnë do të jetë Shqipëria e 4G, do të jetë Shqipëria e teknologjisë më të lartë, do të jetë Shqipëria e çmimeve më të ulëta dhe e shërbimeve më moderne ” shtoi Berisha.