Kryemadhi me LRI në Lezhë: Investimi tek rinia, garanci për një Shqipëri evropiane
Investimi tek rinia është politikë prioritare e LRI-së dhe LSI-së. Kështu deklaroi anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një aktiviteti me të rinjtë në Lezhës në kalanë e këtij qyteti, ku u prezantua dhe u shpërnda programi i Lëvizjes Rinore për Integrim “Arsimim për Punësim”.Kryemadhi deklaroi se programi i Lëvizjes Rinore për Integrim “Arsimim për Punësim” është rezultat i një pune shumë të madhe të bërë nga qindra të rinj me propozimet e tyre konkrete për ecur më shpejt drejt një jete sa më të mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë. Sipas saj e ardhmja e Shqipërisë dhe integrimi i saj në Evropë janë të lidhura ngushtë me investimin që bën sot shoqëria tek rinia.Kryemadhi tha se qeveria duhet tu krijojë mundësi të rinjve për të marrë njohuri dhe për të përballuar sfidat e së ardhmes.“Punësimi i të rinjve mbetet një prioritet kryesor i Lëvizjes Rinore për Integrim dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. LRI propozon lehtësira fiskale si ulje taksash dhe kredi të buta për bizneset të cilat punësojnë të rinjtë dhe për të rinjtë sipërmarrës” deklaroi Kryemadhi.Duke folur mbi propozime që programi i Lëvizjes Rinore për Integrim ka për edukimin Kryemadhi tha se LRI beson se edukimi cilësor, bazuar në kërkesat e tregut të punës dhe të zhvillimit të vendit është çështje themelore për rritjen e kontributit rinor në progresin e vazhdueshëm të vendit.Sipas saj një ndër propozimet konkrete të LRI-së në këtë drejtim është bërja e arsimit të detyruar nga 9 vjeçar në 12 vjeçar ndërkohë që rritja e peshës së arsimit profesional ndaj atij të përgjithshëm, duke e çuar atë në nivelin 50% me 50%, është një tjetër objektiv i rëndësishëm.“Përfshirja e të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse është themelor për realizimin e objektivave për rininë. LRI propozon krijimin e kurrikulave nëpër shkolla që synojnë formimin e lidershipit, krijimin e një këshilli të rinjsh, të cilët ndjekin punën e Parlamentit, Komisionet Parlamentare, bashkive, komunave të vendit dhe njëkohësisht të kenë të drejtë fjale në mënyrë periodike për të ngritur problemet e tyre si dhe certifikimin e paketave të politikave rinore nga vetë forumet rinore të partive politike” tha ajo.Në këtë aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Kryemadhi shoqërohej nga Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, si dhe nga kryetari i LSI-së për Lezhën, Viktor Tushaj.