Berisha: Rama ka fobi nga vota e emigrantëve dhe e 16-vjeçarëve
Kryeministri Berisha ka sulmuar sërish kreun e opozitës se po bllokon ligjin për votimin e emigrantëve në vendet ku jetojnë por edhe për votimin e 16-vjeçarëve.Duke iu përgjigjur një sms-je të një emigranteje shqiptare, kryeministri Berisha theksoi se Rama ka fobi nga vota e emigrantëve por edhe nga ajo e 16-vjeçarëve.Sipas tij, qeveria është e gatshme të ofrojë të gjitha kushtet e përshtatshme për të bërë të mundur votimin online të emigrantëve.“Mosvotimi i emigrantëve s`ka asnjë shkak të vetëm përveç fobinë që ka kreu i opozitës ndaj votës së tyre. Qeveria ka qënë dhe është aktualisht e gatshme tu krijojë atyre mundësinë e votës online dhe në çdo formë tjetër që do të pranojë opozita me qëllim që ky detyrim që e përmbushin të gjitha vendet të përmbushet edhe nga Shqipëria. Qeveria është e gatshme të mobilizojë çdo fond, të përshtasë çdo teknologji të sigurisë së lartë që ekziston në mënyrë që vota e çdo qytetari të ketë peshën që meriton. Por kjo nuk pranohet nga opozita sikundër nuk u pranua votimi i 16 vjecarëve të cilët kanë filluar të votojnë në kombet me moshë mesatare shumë herë më të lartë se kjo e jona. Nëse do të kishte një komb që do t`i hapte dyert për 16-vjeçarët ky do të ishte kombi shqiptar. Dhe përsëri kjo nuk ndodhi dhe kjo është e dhimbshme që pasioni i tyre për teknologjinë e lartë dhe Like në Facebook-un tim janë bërë një lloj gogoli që e trembin opozitën nga vota e 16-vjeçarëve. Gjë e cila mund të jetë shumë kundër produktive për opozitën pasi duke penguar ata s`mund të pengosh prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat e tyre më të mëdhenj" tha Berisha.Kryeministri Berisha theksoi se bllokimet e këtyre dy ligjeve do të jenë të fundit për kryesocialistin Rama pasi sipas tij ai do të ndërshkohet me votë në zgjedhje nga shqiptarët."Këto ligje në serinë e bllokimeve do të jenë më të fundit. 23 qershori është moment i veçantë për të hapur dyert dhe për të shembur muret” tha kryeministri.