Berisha me artizantet në Korçë: Do t'i kërkoj Bashës ndërtimin e një tregu artizanal në Tiranë
Kryeministri zgjodhi sot të ndalej në një biznes të vogël artizanal, të drejtuar nga një grua, në qytetin e Korçës, për të inkurajuar dhe përgëzuar guximin e grave shqiptare sipërmarrëse, drejtuese e menaxhere, të cilat me shumë kurajë e vendosmëri ia kanë dalë të jenë të suksesshme në sipërmarrjet e tyre.“Unë shpreh respektin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni. Ju meritoni me të vërtetë të konsideroheni duararta sepse ju shkrini me talentin tuaj një gjeni krijuese shekullore të shqiptarëve.” iu drejtua kryeministri grave dhe vajzave të punësuara aty, teksa pa nga afër punimet artistike të bëra me dorë nga këto punonjëse. Në këtë biznes janë të punësuara 70 gra dhe vajza, shumica prej të cilave punojnë nga shtëpitë e tyre.Kryeministri dëgjoi me interesim kërkesën për zgjerimin e tregut të shitjes së këtyre prodhimeve edhe në kryeqytet dhe premtoi se në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Tiranës do të gjenden format më të përshtatshme të investimit për tregje artizanale apo lokale të ndryshme.“Ju shtroni një çështje shumë të drejtë dhe për sa i përket tregut të Tiranës unë do ti kërkoj kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili ka bërë disa hapa në këtë drejtim, si psh lehtësimi fiskal për bizneset artizanale, por unë e gjej të drejtë kërkesën tuaj. Tirana është jo vetëm e atyre që banojnë aty. Në Tiranë janë aksionerë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.Kështu që unë do i kërkoj atij që ofertat për prodhime artizanale ai tua bëjë edhe rretheve të tjera.Do i kërkoj atij që në të investojmë aty, qoftë edhe për një treg artizanal ose për lokale, sikundër do të bëjmë gjithçka që qytetet me frekuentim të madh turistik të ofrojnë lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.Gjithashtu, ne, të gjithë këto gra që ti i merr dhe i punëson ne duhet të marrim përsipër disa shpenzime, siç janë periudha që ato mësojnë, deri sa bëhen punëtore të kualifikuara. Pra ne do të vendosim një dialog së bashku për ta nxitur dhe lehtësuar shumë më tepër këtë sektor.Një ligj e kemi përgatitur për artizanët dhe do të bëjmë gjithçka, do të përdorim çdo skemë me të cilat do të ndihmohet ky sektor. Një ndihmë shumë e madhe është turizmi sepse dyfishon tregon. Tregu shqiptar është njëra anë dhe shumimi i tij me turistë është një dimension tjetër i tregut. Unë ju përgëzoj për këtë iniciativë si dhe për guximin tuaj, sepse unë e di se çdo të thotë pasiguri tregu dhe të jesh sipërmarrëse, por ti je një grua guximtare dhe iniciativa e lirë kërkon guxim” tha Berisha.Kryeministri shtoi më tej se turizmi e zhdërvjelltëson tregun artizanal, duke e shumëfishuar atë dhe duke i dhënë një dimension të ri. Në këtë kontekst, kryeministri propozoi që në qytetet me frekuentimin më të lartë turistik, të ofrohen lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.