Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, PS: Berisha e INSTAT gënjejnë për papunësinë

Në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Partia Socialiste ka deklaruar se niveli i lartë i papunësisë në vend është një tjetër aryse për të mos e votuar liderin e PD dhe koalicionin e tij me 23 qershor. Kryetari i Grupit të Punës për Punësimin në PS, Arbi Mazniku, në një dalje për mediat tha se kjo qeverisje i ka braktisur shqiptarët e thjeshtë që duan të punojnë.“Sot në 1 Maj në ditën e punëtorëve na ndajnë 53 ditë nga dita e largimit të Sali Berishës, jemi sërish këtu për të prezantuar një arsye tjetër më shumë pse Sali Berisha duhet të largohet.Në çdo takim apo diskutim me qytetarët, si dhe ne çdo studim a sondazh një gjë del më e qartë se gjithçka tjetër. Shqiptarët nuk duan lëmoshën Shqiptarët duan punë. Një mundësi që me djersën e ballit, me mundin e tyre, të sigurojnë një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre.Kjo qeverisje i ka braktisur shqiptarët e thjeshtë që duan të punojnë. 1 maji nuk mund të jetë ditë feste, aty ku nuk ka punësim, aty ku nuk ka punë me dinjitet, aty ku të drejtat e punëtorëve nuk respektohen dhe ku shteti është indiferent ndaj shfrytëzimit të tyre.Sot është 1 maji, dita e të minatorëve të shfrytëzuar barbarisht në Bulqizë, ku 65 minatorë kanë gjetur vdekjen; 1 maji i rinisë të papunë, por me tituj e diploma që nuk u hyjnë në xhep; 1 maji i rinisë të pashkolluar e që endet rrugëve e pashpresë; 1 maji i rrënimit të arsimit e që nuk prodhon punësim, por rini të zhgënjyer dhe analfabetë” deklaroi ai.Sali Berisha ka sot 1 milionë shqiptarë të papunë, tha më tej ai, ndërsa nënvizoi se edhe të punësuarit punojnë në kushte të vështira, shëndeti dhe jeta e tyre është në çdo çast e rrezikuar.“Sali Berisha dështoi me punësimin dhe sot numërohen 1 milionë shqiptarë të papunë. Premtoi që do të krijonte 160 mijë vende të reja pune dhe ndërkohë nga vetë shifrat e INSTAT-i i tij provojnë se nga 2008, 51 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës. Sot në 1 Majin e ditës së punës, Sali Berisha i ka shqiptarëve 211mijë vende pune borxh.E nuk mund të ndodhte ndryshe, nën një qeveri qe tjetër flet e tjetër bën. Çdo vit që nga viti 2009, buxheti i ministrisë së punës, për programin e nxitjes së punësimit, ka ardhur ne ulje. Në vitin 2009 nga çdo 100 lek që kishte në buxhet Ministria e Punës shpenzonte për tregun e punës 4.7 lekë. Ndërkohë që sot shpenzon 2.6 lekë, ose plot 55% më pak.Të drejtat e punëtorëve shkelen e nëpërkëmben ditën për diell dhe punë nuk do të thotë më dinjitet. Punëtorët shqiptarë punojnë në kushte të vështira, shëndeti dhe jeta e tyre është në çdo çast e rrezikuar. Minatorët dhe punëtorët e ndërtimit humbasin jetën për bukën e gojës dhe qeveria vetëm ngushëllon e bën sehir.Në Shqipërinë e Saliut, në Bulqizën e pasur me minerale, minatorët jetojnë e punojnë si në mesjetë, humbin jetën sepse punojnë në kushte çnjerëzore dhe shfrytëzohen egërsisht të braktisur siç janë nga shteti i tyre.Në Shqipërinë e Sali Berishës krahu i punës, puna e shqiptarëve është e keqpaguar dhe marrëdhënia e punës është e zhdrejtë në favor vetëm të punëdhënësit.Gruaja shqiptare paguhet më pak, është më pak e punësuar dhe më pak e përfaqësuar” deklaroi Arbi Mazniku.“Për ne, puna është dinjitet. Ne do të zbatojmë politika ekonomike që krijojnë vende të reja pune, të mirëpaguara dhe të denja për çdo shqiptar.Ne do mbrojmë punën dhe njerëzit e punës, nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit me partnerët social, punëdhënësit dhe sindikatat.Ne do të krijojmë kushte të përshtatshme pune për të gjithë punëtorët, do të garantojmë mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë në punë, në përputhje me standardet europiane”tha më tej ai.