Alegri: Sedorf nuk është emri i vetëm që flitet për pankinën e Milan

Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, ka pritur me shumë humor të gjithë zërat për largimin e tij të mundshëm nga drejtimi i skuadrës, pasi ka preferuar që të mos bëjë polemika për qëndrimin e ftohtë që vazhdon të mbajë ndaj tij presidenti Berluskoni."Nuk komentoj kurrë atë që thotë presidenti dhe çfarë shkruhet në gazeta. Jam i lumtur që jam te Milani, bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç mendoj se e kam bërë në këto vite".I pyetur nëse Sedorf do ta zëvendësojë atë në pankinën e Kuqezinjëve, tekniku siçilian përgjigjet se: "Nuk është i vetmi, më mungonin pak emrat që përmenden për pankinën e Milanit, kohët e fundit ju gazetarët keni përmendur pak. Sedorf nuk di nëse do të vazhdojë të luaj apo nëse do të fillojë të bëjë trajnerin, por besoj se është një prej atyre personave që janë të përshtatshëm për të bërë trajnerin. Ai është një djalë inteligjent, që ka karizëm dhe i uroj fat sido që të jetë".Trajneri i kuqezinjve më pas ka bërë të qartë se shqetësimi i tij i vetëm është të mbajë Milanin në vendin e tretë në renditje, për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve."Në këtë moment, problemi im i vetëm është të arrij i treti në klasifikim, pasi kemi vlerësuar disa të rinj. Mendoj se Milani është skuadra e vetme që në këtë sezon del me një bilanc pozitiv, ndaj besoj se kemi punuar mirë. Ndërsa në lidhje me ndeshjen ndaj Katanias, Alegri vlerësoi shpirtin e garës që tregoi skuadra duke përmbysur dy herë rezultatin.