Kosova dhe Serbia diskutojnë sot për zbatimin e marrëveshjes

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për hartimin e planit mbi zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.Të dyja palët do të paraqesin planet e tyre në zyrën e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do të udhëheq delegacionin e Kosovës në Bruksel, i cili do t’i paraqes Ashtonit, planin e Kosovës për implementimin e marrëveshjes së arritur mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.Kryeministri Hashim Thaçi, tha dje se plani i Kosovës për implementimin e marrëveshjes parashikon akte ligjore, afate kohore dhe akte të implementimit, që janë të gjitha institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë të BE-së, SHBA-së dhe aktorët e tjerë si EULEX, NATO dhe OSBE. Thaçi tha se implementimi i marrëveshjes është sfidë dhe fati i marrëveshjes do të varet nga zbatimi i saj.“Presim që të kemi planin implementues të dakorduar deri më 26 prill, në mënyrë që menjëherë të fillojë implementimi. Sfidë do të jetë implementimi dhe fati i marrëveshjes varet nga kjo”, u shpreh Thaçi.Kryeministri Thaçi shprehu besimin në arritjen e zbatimit të marrëveshjes, duke pasur parasysh mbështetjen që i japin marrëveshjes të gjitha institucionet e Kosovës dhe shumica e spektrit politik. Po ashtu, ai vlerësoi edhe qasjen e Qeverisë së Serbisë për thirrjen e saj për serbët e veriut për implementimin e marrëveshjes.