“Ngrirja e KQZ”, PPE: Çdo tentativë për të prishur balancat në KQZ, destabilizon zgjedhjet

Situata e tensionuar politike në vend është kthyer në një “betejë” jo vetëm mes aktorëve politikë në vend por edhe atyre ndërkombëtarë, në mbështetje të njërës apo palës tjetër. Kësaj herë reagimi vjen nga Kryetari i Partisë Popullore Evropiane (PPE), Wilfried Martens, i cili e vë theksin në ruajtjen e balancave politikë në institucionin e administrimit të zgjedhjeve. Martens shton më tej se cdo tentativë për të prishur një raport të tillë, është një përpjekje për të destabilizuar tërë sistemin zgjedhor vetëm dy muaj para zgjedhjeve."Unë kam ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në Shqipëri që kur partneri i vogël i koalicionit, LSI, e la koalicionin qeverisës të bashkohet me opozitën. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të reflektojë edhe riorganizimin e koalicionit qeveritarKjo është e një rëndësie të madhe për të ruajtur ekuilibrin brenda KQZ-së, e cila është përcaktuar në marrëveshjet ndërpartiake dhe ligjet mbi zgjedhjet nën ndërmjetësimin e OSBE-së dhe OSBE / ODIHR-it dhe implementuar nga viti 2004 deri më sot. Çdo përpjekje për të ndryshuar balancën e dakordësuar, ku katër anëtarët e KQZ-së propozohen nga Qeveria dhe tre nga opozita , është një përpjekje për të destabilizuar tërë sistemin zgjedhor dy muaj para zgjedhjeve "thekson në deklaratën e tij Presidenti i PPE.Nën këtë argument, Wilfried vlerëson si të papranueshme edhe tërheqjen e anëtarëve socialistë nga KQZ."Eshtë e panevojshme të thuhet, se PPE mbështet fuqishëm kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike dhe është e bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojë një hap vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE", përfundon Presidenti Martens.PPE aktualisht përfshin 73 parti anëtare nga 40 vende.