Meta në Pukë: S’mund të ecet në rrugën e integrimit duke i bërë karshillëk perëndimit
Lëvizja Socialiste për Integrim është forcë e së ardhmes dhe e njerëzve që guxojnë në emër të saj. Kështu ka deklaruar kreu i LSI, Ilir Meta, gjatë një takimi Pukë me qindra qytetarë të këtij rrethi. Duke iu referuar aleancës me PS, Meta tha se cdo ditë e më shumë të gjithë po i japin të drejtë vendimit për të ndërtuar një koalicion të ri, i cili sipas tij do ti japë një frymëmarrje të re Pukës dhe gjithë Shqipërisë."LSI ka qenë dhe mbetet një forcë e angazhuar për stabilitetin e vendit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian. Ne dhamë maksimumin tonë për liberalizimin e vizave dhe njëkohësisht për të krijuar një frymë sa më të gjerë bashkëpunimi dhe konsensusi për reformat që kërkonte Bashkimit Evropian. Ne bëmë më të mirën për të ndërtuar një proces konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, sikurse ju e keni ndjekur, ai nuk arriti të realizohej plotësisht si i tillë duke lënë gjurmë negative në gjithë procesin e integrimit evropian", tha Meta.Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LSI i qëndroi me korrektesë maksimale marrëveshjes me Partinë Demokratike por natyrisht që çdo marrëveshje ka kohën e saj dhe në momentin që koha e kësaj marrëveshjeje përfundoi."Ne u ndamë si qytetarë me Sali Berishën dhe me Partinë Demokratike, pavarësisht se ai e ka të vështirë të ndahet në këtë mënyrë. Ne jemi të bindur se duke ndërtuar një koalicion të ri, ne i japim një mundësi të madhe Pukës dhe gjithë Shqipërisë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit evropian. Puka nuk mund të jetojë më mirë as me fjalimet e Berishës, as të Ilir Metës dhe të askujt tjetër. Puka ka nevojë për vepra konkrete sidomos në drejtim të punësimit. Duhet të ndahemi njëherë e mirë me idetë që vijnë nga e kaluara se Shqipëria është vendi më i lulëzuar në botë dhe se e gjithë bota duhet të marrë shembull Shqipërinë. Shqipëria është një vend që ka ecur në rrugën e progresit, por është një vend që ka probleme shumë të mëdha ekonomike e sociale. Jo vetëm kaq, por është një vend, i cili po sfidohet në mënyrë krejtësisht primitive dhe destruktive edhe në ato standarde të demokracisë që ishin arritur deri tani", u shpreh Lideri i LSI-së.Duke folur për rastin më të fundit të dhunimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , Meta tha se kjo u bë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Perëndimin. Sipas tij kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i qartë i një pseudomaxhorance që po perëndon me fytyrën dhe mendjen nga Lindja."Rasti më i fundit i sjelljes së Berishës me Kushtetutën, me Kodin, me KQZ-në veçse përforcon të gjitha argumentet tona se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, se vendi e ka të pamundur të ecë më shpejt përpara përmes një qendre të vetme politike që kontrollon të gjitha institucionet, në një shtet demokratik ku ato duhet të jenë të pavarura", tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.Në këtë takim u prezantua edhe kandidatja për deputete i LSI-së në Pukë, Sajmira Laçi, ndërkohë që 250 anëtarë të rinj i janë afruar radhë të LSI-së, një pjesë prej të cilëve Lideri i LSI-së u dha edhe dokumentet e anëtarësisë.