Roney dhe Van Persi synojnë rekordin e pikëve te Chelsea

Uejn Roney dhe Robin Van Persi janë vënë në ndjekje të një rekordi mjaft të veçantë, pasi duan të festojnë titullin e 20-të kampion për Mançester Junajtid duke arritur një objektiv të rëndësishëm. Kryesuesve të kampionatit anglez u mjaftojnë 7 pikë në 6 ndeshjet e fundit për t'u shpallur matematikisht kampionë, por ata mund të kalojnë shifrën rekord të 95 pikëve të vendosur nga Çelsi në sezonin 2004-2005, nëse fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura."Jemi në një pozicion të shkëlqyer. Por duhet të sigurohemi që do të arrijmë të kalojmë atë vijë ndarëse. Trajneri na tha para fitores me Stouk se sezoni ynë fillonte sot dhe se na kanë mbetur edhe 6 ndeshje për t'u luajtur, të cilat duhet t'i fitojmë të gjitha. Nëse i fitojmë të gjitha, atëherë do të sigurojmë një rekord, ndaj do të jetë një objektiv shumë i rëndësishëm për të gjithë ne", shpjegoi Runi për "The Guardian". Sulmuesi britanik ka shuar gjithashtu zërat për një largim të mundshëm në radhët e PSG duke theksuar se ndihet mirë te Manchester dhe dëshiron të vazhdojë karrierën me "Djajtë Britanik".Të njëjtin mendim për rekordin e pikëve ka edhe Van Persi, i cili ashtu si partneri i tij sulmit, ka lënë në plan të dytë objektivat personale në këtë sezon."Ne nuk po mundohemi që thjesht të fitojmë kampionatin me pikët që na nevojiten, por duam të marrim maksimumin e pikëve nga ndeshjet që mbeten. Është e rëndësishme që të vazhdojmë të fitojmë dhe kjo është ajo që ne do të kërkojmë të bëjmë", deklaroi holandezi, i cili vazhdon të jetë në garë për titullin e golashënuesit më të mirë në kampionat me 20 gola, vetëm 2 pas Luis Suarez që kryeson renditjen.