Dorëheqjet në KQZ, Kuvendi: PS të propozojë dy anëtarët e rinj

Kuvendi ka administruar sot dorëheqjet e dy përfaqësuesve të PS-së në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve Denar Biba dhe Albana Shtylla.Në një njoftim të Kuvendit thuhet se i është kërkuar përmes një shkrese kryetarit të grupit të PS-së  që të sjellë propozimet e reja për zëvendësimin e tyre.“Kuvendi, pasi administroi dorëheqjet e z. Biba dhe znj. Shtylla, bazuar në pikën 3 të nenit 19 të Koditzgjedhor, e cila thotë: "Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës", i kërkoi Kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, me shkresë nr.790, dt. 17.04.2013, që të sjellë, brenda afateve, propozimet e PS-së për zëvendësimin e dy anëtarëve të PS-së në KQZ. Kjo, e bazuar në pikën 2 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, ku thuhet: "...Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin..." thuhet në njofitimin e Kuvendit.Ndërkohë pas dorëheqjes së djeshme të nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba paraditen e sotme ka dhënë dorëheqjen edhe anëtarja e propozuar nga PS-ja, Albana Shtylla.