Vendimi i këshilltarëve të majtë, Basha: Strategjia e Ramës, konflikti politik

Debati politik për këshillin bashkiak të Tiranës ka përplasur pas shumë kohësh edhe pse në distancë kryetarin e bashkisë Lulzim Basha dhe parardhësin e tij sot lideri i së majtës Edi Rama. Në një prononcim për mediat pas inspektimeve të punimeve të shkollës “Ahmet Gashi” në Laprakë, kryeqytetari i Tiranës e konsideroi bashkimin e LSI me PS si një strategji të Ramës që lidhet me 23 qershorin.“Lëvizja apo qëndrimet e djeshme nuk kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës. Ju e shikoni qartë se ato vijnë pas vendimit të Parlamentit të hënën mbrëma, pra janë vendime thjesht politike. Nga kjo pikëpamje, më vjen keq të konstatoj përsëri se e vetmja strategji e ish-kryetarit të Bashkisë, në raport me Bashkinë e Tiranës dhe qytetin e qytetarët e Tiranës është strategjia e konfliktit politik, e instrumentalizimit të Bashkisë së Tiranës, si një arenë e konfliktit politik. Bashkia, ofron zgjidhje, projekte dhe shërbime, ndërsa ish-kryetari Rama ofron vetëm konflikt politik. Vepra të tjera madhore presim të nisim së shpejti, ndaj nga kjo pikëpamje, strategjia e rikthimit në një moment të tillë nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me Bashkinë e Tiranës, ka të bëjë me 23 qershorin. Me 23 qershor, qytetarët e Tiranës do të duhet të vendosin nëse do i rikthehen thithjes së pluhurit, baltosjes dhe mjerimit të konfliktit politik apo do të vazhdojmë përpara me projektet që kemi nisur” u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës” tha Basha.Por, kryebashkiaku Basha theksoi se pavarësisht vendimit të këshilltarëve të majtë për tu bashkuar, Bashkia e kryeqytetit do të vijojë me përkushtim punën për ndërtimin e Tiranës.Ende pa u larguar nga mikrofonat pasardhësi i tij, ka ardhur në twitter kundërpërgjigjia e Ramës."E paska harruar zerin e qytetareve qe flasin permes Keshillit Bashkiak po ska faj,ska bere asgje dhe i trembet zerit te shumices ne keshill. Tanime shumica do mbroje qytetaret e Tiranes e jo vetem nga planet klienteliste, inaugurimet sa per televizionet, abuzimet e vjedhjet ne bashki e qarqe” shkruan Rama.Po përsëri në distancë, duke përdorur komunikimin në rrjete sociale si twitter e email, Basha ripërgjigjet se qytetarët e kanë refuzuar me votë konfliktin politik në 8 maj 2011, duke shprehur bindjen se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit.Përplasje të tilla midis z. Basha dhe Rama kanë ardhur një ditë pas këshilltarët e mjatë kanë kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit bashkiak, duke kërkuar edhe shkarkimin e kryetarit të këshillit Kosovrasti.