Kërcënimi i LSI, Pollo: Lëvizje amorale, kandidoi në listat e PD
Duke sjellë në vëmendje seancën maratonë të një dite më parë në Kuvend, molla e sherrit mes PD-LSI, Pollo tha se shkarkimi i anëtarit të LSI me votën e kartonit nuk ishte zgjidhja më e mirë, por e domosdoshme për të ruajtur balancat politikë.
“Ishte një nga seancat më të gjata. Nuk them se përbërja e KQZ nuk është e rëndësishme, s’do kishin qenë aty bashkë me mocionet. Është vendosur një balancë që ka funksionuar më mirë se formulat e tjera, s’mund të kthehet në të kundërtën e saj për shkak të manovrave politike, që e kthen mazhorancën në minorancë, nuk mund të tolerohet. Qeveria dhe mazhoranca e kanë shjeguar me durim problemin e krijuar. Nuk jemi të lumtur që e bëmë, ishim të detyruar, nuk mund të sillesh sikur ke një të drejtë të lindur, ishin atribute të mazhorancës, tashmë le ti fitojë nga opozita” u shpreh Ministri.
Sipas deputetit demokrat, PD ia dha në mirëbesim LSI përfaqësuesin në KQZ përkundër qasjes politike që mund të ndiqte, megjithatë Pollo shtoi se edhe nëse s’do ishte në lojë balanca një person me një precedent të tillë si Ilirjan Muho nuk mund të vazhdonte më ushtrimin e detyrës në KQZ.
“LSI duhet ta bënte të qartë qëndrimin. Ka momentE të vërtetës ku gjërat provohen. LSI mori me vete një aset të mazhorancës, njësoj si Presidenti të ikë bashkë me vulën e tij dhe kjo duhej korrigjuar, kjo i është shpjeguar edhe komitetit ndërkombëtar. Megjithatë ata e kuptojnë që këtu ka dicka që nuk shkon. Po të jemi parimorë duhet të pranojmë argumentimin e balancës. Por një përson me një precedent të tillë s’mund të ishte aty, s’mund të jetë garantor i zgjedhjeve. Unë e kam marrë vesh dje, fjalë kemi dëgjuar por su bë hulumtimi, s’di nëse LSI ka ditur se cfarë po prezantonte. Dje pamë dhe dekretin, është një problem që duhet riparë edhe për të ardhmen, zgjedhja do bazohet vetëm në CV apo do ketë edhe hulumtim. Në mirëbesim kemi votuar një njeri me precedent të rëndë në karrierën e tij ligjore, pra është jo një po dy arsye se pse duhet të mos jetë në KQZ” sqaroi deputeti Pollo.
I pyetur lidhur me deklaratën e kryesocialistit Rama, Pollo tha se kreu i PS është i mbërthyer nga frika e humbjes së zgjedhjeve, fund nga i cili sipas tij nuk do ta shpëtojë as aleanca me LSI.“E ngatërroi me ‘96. Rama ka thënë shumë gjëra për shumë gjëra, në 2009 vinte si kryetar partie I patestuar, në 2007 fitoi bashkinë Tiranë por humbi bashkitë e tjera, në 2009 humbi , në 2011 humbi bashkinë e Tiranës, komuna dhe bashki të tjera. Në 2013 ai ka frikë se humbet prapë, vjen pas tre humbjesh, ka pesimizëm tek të majtët, me vajtjen e LSI ka një tollovi dhe pakënaqësi të madhe. E djathta e rikombinuar dhe e bashkuar ka një projeksion të qartë fitues” deklaroi Pollo.
I ngarkuar nga PD për drejtimin e fushatës në qarkun e Beratit, qark në të cilin pret të konfirmohet edhe deputet, Pollo shprehu bindjen për marrjen e katër mandateve në Berat. Në fushatën, tashmë të nisur vrullshëm, sipas Pollos ekonomia dhe sistemi i taksimit do jenë karta e PD në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Është një frymë e përgjithshme, ndihet ndryshimi. Përpara Berati konsiderohej bastion i majtë dhe pikë. 3 kandidatë do i marrim, do synojmë të marrim 4, kjo sepse është treguar vëmendje ndaj këtij qarku, i cili ka pasur probleme realisht. Kemi parë krizat në Eurozonë dhe situatën e rëndë ekonomike e shoqëruar edhe me rënie qeverish. Në Shqipëri kjo nuk ndodhi, kemi një papunësi më të ulët se në Eurozonë dhe Ballkan, një ekonomi në rritje dhe kjo s’vjen nga qielli. Është patjetër meritë e qeverisë dhe kjo na dallon nga vendet e tjera që janë në stanacion ose recesion. Ata që përfitojnë nga taksa e sheshtë e dinë që e kanë 10 dhe jo 20, kemi ngushtim të evazionit fiskal, tatimet e kanë më të lehtë ta mbledhin, paraja është më mirë të jetë në kontot e sipërmarrësve. Variant tjetër është tua marrim të gjitha paratë, ta fusim në arkën e shtetit dhe të administrohet nga një zyrë në kryeministri. Kjo dëmton ekonominë dhe shkurton vendet e punës” përfundoi Ministri i ITIK Genc Pollo.