Zgjedhjet, vizitojnë Tiranën dy raporterët e KiE dhe amerikani Moore

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri dhe klimës politike të nxehtë mes partive, kjo javë do të jetë një javë e ngarkuar me vizita të faktorit ndërkombëtar.Pas vizitës së djeshme  të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian Chatherine Ashton, sot Tiranën po e vizitojnë edhe drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në Departamentin Amerikan të Shtetit Jonathan Moore së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.Diplomati amerikan Moore i shoqëruar edhe nga ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu është takuar mëngjesin e sotëm në selinë rozë me kryesocialistin Edi Rama.Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dy raportuesit  Evans dhe Petrenco  do të jenë në Tiranë nga data 17 prill deri më 19 prill dhe do të kenë takime me presidentin, kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë dhe disa komisione parlamentare.Bisedime do të zhvillohen gjithashtu edhe me delegacionin e përhershëm të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me lider të partive politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.Diskutimet do të fokusohen në veçanti në përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare, progresit të bërë nga Shqipëria përsa i përket kërkesës për marrjen e vendit kandidat në Bashkimin Europian, reformën në autoritetin rregullator të medias dhe çështje të minoritetit.