Bumçi takon Moore: Të angazhuar për zgjedhje me standarte
Qeveria Shqiptare është e angazhuar të zhvilloje një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.Kështu është shprehur ministri i jashtëm Aldo Bumçi gjatë takimit me Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.Gjithashtu Ministri Bumci evidentoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin që SHBA i ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë.Ai nënvizoi kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ruajtjen e paqes, stablitetit dhe sigurisë në rajon dhe e siguroi zotin Moore se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në krah të Shteteve të Bashkuara në sfidat e përbashkëta.Nga ana e tij, diplomati amerikan Moore nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Ai theksoi se megjithë sfidat e shumta me të cilat Shtetet e Bashkuara përballen sot në botë, Ballkani do të vazhdojë të mbetet në fokusin e administratës amerikane për të ruajtur të gjitha ato arritje që janë bërë në drejtim të paqes dhe sigurisë në Ballkan.Në këtë kontekst, Moore nënvizoi se shpreson për përfundimin me sukses të dialogut Kosovë-Serbi, gjë që do të mundësonte ecjen e tyre përpara drejt integrimeve europiane.