Largimi i Muhos nga KQZ-ja, pas Bibës dorëhiqet edhe Albana Shtylla
Një ditë pas dorëheqjes së nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba, dorëhiqet edhe anëtarja tjetër e Partisë Socialiste në këtë institucion, Albana Shtylla.Mësohet se Shtylla ka dhënë dorëheqjen paraditen e sotme, ndërkohe që arsyet e dorëheqjes së saj janë të njëjta me ato të nënkryetarit Biba, për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ.Në një prononcim për mediat, ajo ka sqaruar se nuk mund të lejojë cënimin e integritetit moral, paanshmërisë politike dhe zbatimin e ligjit, arsye që e kanë shtyrë të japë dorëheqjen.“E kam thënë që zbatimi i ligjit, integriteti dhe paanësia politike më ka karakterizuar në karrierë, mendoj që kushdo të ishte në vendin tim do të konstatonte që gjatë ushtrimit të detyrës i cenohet integriteti, garancia ligjore për ushtrimin e mandatit do të bënte të njëjtin veprim. I kam gjërat më të shtrenjta, i kam kultivuar si thesar dhe nuk do doja që askush të mi cenonte në ushtrimin e detyrave të një funksionari publik” tha ajo.Sipas saj, edhe pse të propozuar nga partitë politike, që nga momenti që konstituohet KQZ është i paanshëm politikisht.“Nga ai moment ne duhet të ushtrojmë detyrën në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me ligjin”- ka shtuar Shtylla.Ndërkohë pas dorëheqjes së dy anëtarëve të KQZ-së Partia Socialiste ka 48 orë kohë për të propozuar dy kandidatë të rinj për anëtarë të KQZ.Plotësimin e vakancës së krijuar në KQZ, pas dorëheqjeve,e parashikon neni 19 pika 2 dhe 3 e Kodit Zgjedhor. Nëse PS nuk e ushtron të drejtën e propozimit, kjo gjë i kalon partisë së dytë të koalicionit, sipas kritereve të renditjes që është Lëvizja Socialiste për Integrim.