KQZ në “krizë”, jep dorëheqjen nënkryetari Biba: U përdhos ligji për zgjedhje të lira
Dorëhiqet nga posti i nënkryetarit dhe anëtarit të KQZ, Denar Biba, i propozuar në këtë institucion të administrimit të zgjedhjeve nga PS.Dorëheqja e tij është protokolluar rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të martës në sekretarinë e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe vjen menjëherë pas shkarkimit nga detyra të anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho, me votat e mazhorancës në seancën maratonë prej 12 orësh në Kuvend.Denar Biba e nis tekstin e dorëheqjes së tij duke e vlerësuar shkarkimin e Ilirjan Muhos si një akt jashtëzakonisht të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës."Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura!" thekson Biba.Me këtë vendim të mazhorancës në Kuvend, Biba vlerëson se “antarët e KQZ u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e professional”. Pikërisht ky votim në Kuvend dipas Bibës, e ka detyruar atë të japë dorëheqjen."Në rrethana kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i serviruar atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve."- deklaron Biba.Denar Biba e mbyll deklaratën e tij të dorëheqjes duke theksuar se forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet!I kontaktuar edhe në linjë telefonike, direkt në emisionin “ Tonight Ilva Tare” në RTV Ora News, zoti. Biba rikonfirmoi aksionin dhe motivet e paraqitura në dorëheqjen e parevokueshme të tij në KQZ.“Sot nuk ishte gjë tjetër veçse akumulimi i gjithë kësaj ndodhie që na shoqëroi ne dhe opinionin publik. Ajo ç’ka unë pashë në mënyrë skandaloze ishte shqetësimi për të balancuar KQZ dhe jo për të garantuar pavarësinë e tij. Kjo ishte shumë e rëndë dhe këtë e përjetova keq dhe kulmoi me dorëheqjen e sotme. Është një akt i gjykuar me dhimbje prej meje, e mora me shumë dëshirë këtë detyrë, ishte një hap në karrierën time personale” tha ai.