Rama takohet me Moore: Folëm për rrëmbimin e anëtarit të KQZ-së

Kreu i PS-së Edi Rama ka deklaruar se në fokus të takimit me diplomatin amerikan Jonathan Moore ka qënë zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së.Në një prononcim për mediat pas takimit, kryesocialisti Rama theksoi se vëmendja është përqëndruar tek domosdoshmëria e kthimit të besimit tek zgjedhjet."Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh lidhur me gjendjen para elektorale, dhe sigurisht lidhur edhe me zhvillimet më të fundit në rajon e posaçërisht edhe për ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të anëtarit të KQZ, dhe praktikisht, e rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje, kaq të rëndësishme për Shqipërinë, në një moment të rëndësishëm siç është ky moment për vendin edhe në kontekstin e integrimit europian dhe të zhvillimeve në rajon, të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme" tha Rama.Ndërkohë, kryesocialisti Rama mohoi aludimet se dorëheqja e Denar Bibës ka të bëjë me marrëveshjen mes PS-së dhe LSI-së për zgjedhjet.“Është krejtësisht e pavërtetë, unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën, i cili nuk vjen nga radhët e Partisë Socialiste. Nuk është propozuar prej nesh për të qenë një ushtar partie Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cenimin flagrant të integritetit moral dhe profesional të KQZ dhe të anëtarëve të KQZ” shtoi Rama.I pyetur nëse PS-ja ka një emër të të zëvendësuar Denar Bibën, Rama u shpreh se: "Kjo është një pyetje përgjigja e të cilës është shumë më e gjerë se kaq. Këtu nuk flasim për zëvendësim personash, këtu flasim për rikthimin në ligjshmëri të KQZ-së.  ”.