3 pika të reja kufitare me Kosovën, më shumë hapësira kalimi për pushuesit gjatë verës

Kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës do ti shtohen edhe tre pika të reja kufitare si dhe një qendër e përbashkët policie. Kjo do të bëhet e mundur falë një marrëveshje të nënshkruar nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Flamur Noka dhe homologut të tij kosovar Bajram Rexhepi. Për të dy titullarët e lartë kjo marrëveshje do sjellë rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy shteteve shiptare si dhe siguri më të madh të kufijve.“Ky bashkëpunim synon paralelisht përmbushjen e standardeve për anëtarësim në BE të dy vendeve tona, si edhe vullnetin tonë të plotë për të garantuar maksimalisht sigurinë dhe rendin publik në vendet tona. Në këtë mënyrë, ne hedhim një hap jazhtëzakonisht të rëndësishëm jo thjesht në bashkëpunimin dypalësh, por mbi të gjitha në luftën tonë të përbashkët kundër krimeve ndërkufitare, krimit të organizuar e veçanërisht trafikimit të qenieve njerëzore, emigracionit të paligjshëm, kontrabandës, trafikimit të armëve dhe çdo lloj trafiku të paligjshëm, në lidhje me mjetet motorike apo edhe objekteve me vlera historike, kulturore ose arkeologjike, si dhe objekteve që i përkasin trashëgimisë kombëtare. Paralelisht, ky bashkëpunim respekton konform legjislacioneve tona respektive, tashmë i njehsuar me atë të BE-së, lidhur me Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këto marrëveshje janë treguesi më i qartë dhe prova më konkrete e nivelit të shumë të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për të cilin kam besimin e plotë se do të vijojë edhe në të ardhmen në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, u shpreh ministri i Brendshëm, Flamur Noka.“Pres me të drejtë që edhe gjatë këtij sezoni turistik të ketë lehtësira në qarkullim por në të njëjtën kohë të rritet efikasiteti kundër trafiqeve të ndryshme ilegale, krimit të organizuar etj..Për sa u përket këtyre pikëkalimeve kufitare të cilat janë sipas nominimit të kategorisë B ose C, janë kryesisht për ata banorë që jetojnë nëpër vise rurale, të cilat janë pak të izoluara dhe ndoshta nuk do të jenë të hapura gjatë gjithë vitit. Por varësisht edhe nga sezoni, do të jetë një lehtësi e madhe për arsye se si e përmendët në rajonin e Prizrenit, sidomos Dragashi nga ana e Kosovës, shpeshherë ka pasë kalime ilegale dhe ato kanë qenë të imponuara per arsye se ka munguar infrastruktura. Kjo do të lehtësojë që të ketë komunikim më të mirë, shkëmbim më të mirë, furnizim më të mirë në të dy anët dhe në të njëjtën kohë të parandalohen kalimet ilegale. Prandaj uroj që këto marrëveshje të zbatohen me përpikëri dhe të shkojmë edhe më tutje përpara në bashkëpunim me një obligim për luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme të drogës e të tjera! – tha ministri i Brendshëm i Kosovës.Hapja e pikave kufitare të reja kufitare do ti vijë në ndihmë banorëve fshatrave të thella të Prizrenit dhe Kukësit. Ata tashmë nuk do të jenë të detyruar të vijnë vetëm në Morinë, duke shkurtuar kështu kohë dhe shpenzime.