Shpifja vepër penale, Berisha e dekriminalizoi, Rama e rikthen pas 3 vitesh

Ashpërsohen raportet mes qeverisë dhe medias. Në fshehtësi të plotë Qeveria ka miratuar një amendim në kodin penal që parashikon rikthimin si vepër penale të shpifjes ndaj funksionarëve publikë.Kështu 3 vjet e gjysmë pasi Edi Rama mbështeti nismën e paraardhësit të tij Sali Berisha, i cili dekriminalizoi shpifjen, tashmë është tërhequr nga kjo mbështetje dhe sugjeron dënimin me gjobë deri në tre vjet burg për ata që shpifin ndaj funksionarëve të lartë të shtetit.Për këtë nismë të kryeministrit Rama firmosur nga Ministrja e Shtetit Ermonela Felaj duhet të ndërhyhet në seksionin e kodit penal që flet për "Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit" në kreun "krime kundër autoritetit të shtetit".Propozimi është ky: "Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet."Ndërkaq relacioni që shoqëron propozimin thekson se: “Arsyeja e propozimit të kësaj dispozite është ajo e penalizimit të cilitdo që duke abuzuar me lirinë e shprehjes, përhap qëllimisht, me çfarëdolloj mjeti dhe mënyre, shpifje ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, të natyrës të tillë që i ngarkon këta të fundit me fakte që ligji penal i parashikon si vepra penale”.Relacioni vijon më tej duke cituar se: “Pështjellimi, që "denoncime" të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cënon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësueve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët”. Megjithatë nuk dihet nëse kjo nismë e Kryeministrit e cila që të votohet kërkon 84 vota do të ketë edhe mbështetjen e partive të tjera në qeverisje.Nëse sjellim në vëmendje disa kode, si ai rrugor, penal dhe ligjin e nëpunësit civil vijojnë të jenë në axhendën e parlamentit dhe nuk kalojnë për miratim për shkak të mos dakordësisë mes PS dhe LSI.

Amendimi i miratuar nga qeveria në kodin penal që kriminalizon shpifjen