KQZ, Rama: Deklaratat e ndërkombëtarëve, të drejta. Nuk negociojmë me PD-në

Kryesocialisti Edi Rama ka përshëndetur sot deklaratat e SHBA-së dhe të Bashkimit Europian për mosndërhyrje të politikës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.Në një konferencë për shtyp, Rama ndërsa i është bashkuar apelit të ndërkombëtarëve theksoi se opozita nuk do të hyjë në bisedime me Partinë Demokratike në lidhje me zëvendësimin anëtarit të KQZ-së."Mirënjohje SHBA-së dhe BE-së për qëndrimin e qartë dhe të prerë ndaj përpjekjeve së marrëzisë të Saliut për të marrë me dhunë kontrollin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Asnjëherë në këto 8 vjet të marrëzive të Saliut deklaratat e partnerëve tanë nuk kanë qënë më të drejtëpërdrejta sepse asnjëherë shkelja e Kushtetutës nuk ka qënë më e hapur sesa kjo përmes kësaj nisme për të gjymtuar një anëtar të institucionit të administrimit të zgjedhjeve" tha Rama.Sipas tij, deklaratat e troçta të SHBA dhe BE janë thirrje të forta që një marrëzi e dhunshme të mos ndodhë.“Ne kërkojmë nga Berisha të mos i faturojë vendit koston e panevojshme të mosrealizimit të zgjedhjeve me standarde. KQZ vërtetë formohet në proces ku anëtarë propozohen, por kur marrin mandat KQZ nuk ka më varësi nga kuvendi dhe partitë. Ne do e respektojnë dokumentin e zgjedhjeve, nuk tolerojmë shkeljen e njëanshme të kodit as do bëhemi pjesë e marrëveshjeve që anashkalon kodin për të zgjidhur medemek problemin se ai thjesht nuk ekziston. Ky është momenti si Saliu të mendojë si të iki me nder nga pushteti per rotacionin paqësor te pashmangshëm tanimë, por edhe zgjedhje të lira e të ndershme, do të bënte që kryeministri në ikje nesër të kishte arsye te krenohej për mënyrën se si iku, se për mënyrën se si ndenji është i damkosur” theksoi më tej Rama.Rama gjithashtu theksoi se KQZ duhet të bëjë punën e saj si një institucion i pavarur nga politika ndërsa shtoi se kryeministri po zgjedh mënyrën më të keqe për tu larguar nga pushteti.“Në panikun e kësaj vetmie të madhe, sa të madhe aq edhe të merituar, Saliu shkatërroi institucionin e administrimit të zgjedhjeve, duke zgjedhur rrugën më të keqe për tu larguar nga pushteti, që e bën atë manjak të votës së lirë, që turpëron çdo deputet që do ta ndjekë qorrazi këtë shëmbëlltyrë të stërplakur të së shkuarës, që turpëron shtetin në sytë e botës.Kjo marrëzi e dhunshme nuk e kompromenton fitoren e PS dhe koalicionit opozitar. Ne do i fitojmë zgjedhjet aq thellë sa edhe sikur votat të numërohen në shtëpinë e Saliut largimi i tij nga pushteti është i pashmangshëm. Por kjo  komprometon rrugën evropiane të vendit, besueshmërine si aleate e NATO-s dhe partnere e SHBA”tha Rama.