Bashkia, ndihmë në kualifikim dhe sipërmarrje për 353 të rinj

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bankës Botërore u ka mundësuar 353 të rinjve të kryeqytetit, të marrin një profesion dhe të hapin një biznes të ri.Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ndërsa u ka shpërndarë çertifikatat dhe çeqet e grantit të përfituar këtyre të rinjve ka shprehur angazhimin e bashkisë për krijimin e shanseve sa më të mëdha për punësim dhe sukses për të rinjtë.Fokusi ynë kryesor në raport me rininë është krijimi i shanseve sa më të mëdha për punësim dhe sukses. Punësimi merr dy forma, ose formë e punësimit klasik në sektorin privat apo publik, si rrogëtarë, apo vetëpunësimi nëpërmjet krijimit të një biznesi. Kjo e dyta ka qenë dhe mbetet gjeneratori i vendeve të punës në Tiranë dhe Shqipëri. Është ajo që e nxorri Shqipërinë nga "shoku” i tranzicionit në vitet ’90; është ajo që e mbajti stabël apo “mbi ujë” në vitet e vështira të fundit të dekadës së kaluar; është ajo që siguroi rritje të vazhdueshme ekonomike, punësimin e qindra, mijëra qytetarëve, veçanërisht të rinjve që hynin në tregun e punës dhe që siguron sot në partneritet me biznesin e madh, me qeverisjen vendore dhe me qeverisjen qendrore, që Shqipëria të vazhdojë të ketë rritje ekonomike pavarësisht se ndodhet në një “kënetë ekonomike”, të rrethuar nga ekonomi fqinje që janë në depresion, madje disa prej tyre në depresion të thellë. Pra, kemi një interes strategjik për ta stimuluar këtë të dytën, vetëpunësimin, krijimin e bizneseve të reja të vogla, konsolidimin e atyre që ekzistojnë dhe kjo vlen për çdo grupmoshë, në qytetin tonë dhe anembanë Shqipërisë. Brenda këtij komponenti strategjik ka një objektiv edhe më parësor që është mundësimi i të rinjve të qytetit të Tiranës, (atyre që dëshirojnë) që të hapin biznesin e tyre, ta bëjnë këtë me sa më pak pengesa” tha Basha.Nga ky projekt janë trajnuar 142 të rinj se si të fillojnë një biznes të ri, 30 të rinj me planet më të mira të biznesit kanë përfituar një grant prej 2500 dollarësh.