Mediu: Qesharake të thuash që KQZ nuk është politike
“Është qesharake të thuash që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk është politik”. Kështu është shprehur kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu në një prononcim për “Ora News” në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.Duke iu referuar kërkesës së PR-së për një anëtar në KQZ, Mediu theksoi se kjo është një e drejtë legjitime e forcës që ai përfaqëson si partia më e madhe e djathtë."Situata ësht ktheyr në favor të menaxhimit të drejtë të zgjedhjeve. Ky balancim i KQZ-së është mëse i domosdoshëm dhe kërkesa e Partisë Republikane është e drejtë si parti e dytë nga pesha elektorale nga partitë e djathta” tha Mediu.Ndërsa deputeti i LSI-së Nasip Naço është shprehur se me largimin e LSI-së nga qeveria kjo mazhorancë është kthyer në opozitë. Sipas tij, mazhoranca nuk i ka votat e nevojshme për të votuar në Parlament zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së."Me largimin e LSI-së nga qeveria kjo mazhorancë është mazhorancë e djeshme dhe opozitë e sotme. Ju e shihni se seanca nuk fillon se PD-ja s’e ka numrin e nevojshëm. Kërkesa e saj është antiligjore dhe kjo mazhorancë me veprimet që po bën tregon se është në opozitë.Duke u bashkuar të gjithë në 23 qershor ne do të bëjmë që votat tona të jenë një uragan për të gjithë të majtën shqiptare” tha Naço.Ndërsa Kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule ka shprehur votën kundër në Parlament ndaj zëvendësimit të Ilirjan Muhos. Për “Ora News” Dule e ka cilësuar si anti-kushtetuese kërkesën e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.“Këto janë llogari që po bëhen në një kuadër antiligjor. Kjo është një nismë antikushtetuese dhe antiligjore duke demostruar edhe arrogancën. Kjo është një vendosje e një mine me sahat nga ata të cilëve u kërkohet gadishmëria për mbarëvajten e zgjedhjeve. Duhet të shmangim logjikën partiake në këtë nismë për KQZ-në. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është një institucion i pavarur dhe kështu duhet të konsiderohet. PBDNj nuk do të mund të votojë një nismë anti-kushtetuese” u shpreh Dule.