Aksidenti i Himarës,studentet e mbijetuara në protestë: Duam dëmshpërblimet

Studentet e mbijetuara së tragjedisë së Himarës kanë  protestuar sot para universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” duke kërkuar kompensimin nga shoqëritë e sigurimeve.Të mbijetuarat e aksidentit tragjik ku humbën jetën 13 persona, janë mbështetur në protestë edhe nga familjarë edhe nga qeveria studentore e universitetit.Studentet e mbijetuara të tragjedisë së Himarës gjithashtu kanë paralajmëruar për përshkallëzim të protestave si dhe futjen në grevë urie nëse nuk jepen dëmshpërblimet.Duke e konsideruar dëmshpërblimin, si një të drejtë ligjore, ata u kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë si dhe Avokatit të Popullit të ndërhyje.Aksidenti i Himarës u shënua më 21 maj 2012, në Qafën e Vishës në Himarë, ku 11 studentë, i fejuari i njërës prej tyre dhe shoferi i autobusit humbën jetën, ndërsa mbi 20 të tjerë u plagosën.