Ministri Bumçi takim me Ambasadorin e Republikës Greke, Leonidas Rokanas
Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi ka pritur sot në një takim, Ambasadorin e Republikës Greke në Tiranë, Leonidas Rokanas.Ambasadori Rokanas, i përcolli Ministrit Bumçi urimet më të mira për detyrën e re, në emër të Ministrit të Jashtëm grek, Avramopoulos. Ai vlerësoi marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes dy vendeve tona, bazuar në një traditë historike. Ambasadori siguroi vazhdimësinë e një bashkëpunimi të ngushtë në dy objektivat e përbashkëta strategjike që janë integrimi evropian i Shqipërisë dhe Projekti TAP, si dhe dëshirën e mirë që këto marrëdhënie të ngrihen në një nivel më të lartë.Ministri Bumçi vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve me Greqinë, ndihmën që ajo i ka dhënë Shqipërisë në proçesin e integrimit në strukturat euroatlantike, bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të projektit TAP, si një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për vendet tona dhe rajonin në tërësi. Ministri Bumçi theksoi se fryma pozitive dhe vullneti i përbashkët do të ndihmojë në trajtimin për zgjidhje të problematikave të agjendës dypalëshe.