Shemsie Kadria i rikthehet zakonit. Para drejtësisë për mashtrimin e dy personave
Atëherë kur ndoshta edhe vetë kreditorët e Gjallicës e kishin harruar, Shemsie Kadria shfaqet papritur në gjykatë sërisht si e pandehur.Dhe akuza është e ngjashme me atë të kohës së piramidave. Për ish-bosen e kompanisë së njohur piramidale në Gjykatën e Tiranës ka nisur një proçes gjyqësor për mashtrimin e dy personave ku në total i ka marrë shumën e 43 mln lekëve të vjetër dhe 2700 dollarëve amerikan. Kadria i kishte premtuar këtyre dy personave apartamente që për çudinë e të gjithëve, firma e ndërtimit nuk ekziston fare në regjistrimin elektronik të QKR-së. Edhe njëherë, presidentja e Gjallicës ka treguar aftësitë e saj si mjeshtre e mashtrimit .Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2008 thuajse një vit nga lirimi i saj nga burgu ku ajo vuajti 10 vjet heqje lirie për mashtrim në firmat piramidale. Ndërkohë për Shemsie Kadrien është marrë edhe masë arresti në Gjykatën e Tiranës, por ajo nuk është gjetur në adresën e saj dhe për këtë fakt ajo është shpallur person në kërkim nga autoritet shqiptare.Avokati mbrojtës i ish-boses së Gjallicës, ka pranuar faktin se klientja e tij i ka marrë paratë, por e justifikoi atë se do ti përdorte për përfundimin e pallatit dhe më pas do ti siguronte apartamentin. Ai pretendoi se Kadria i ka dhënë para borxh pronarëve të pallatit dhe kjo është mënyra për të marrë përsëri paratë e dy paditësve.