100 vjetori hap debat të ri PD-PS, Rama: Festa kryesore në Vlorë

Opozita ngre krye dhe hap betejën festive për 100 vjetorin e pavarësisë, duke spostuar të gjithë ceremoninë në Vlorë, përkundrejt mazhorancës që ka zgjedhur Tiranën si kryeqendër të festës. Në mbledhjen e grupit, deputetët socialistë kanë marrë sigurinë e kryebashkiakut Shpëtim Gjika për një ceremoni të denjë në Vlorë, pavarësisht se siç tha ai qeveria nuk ka akorduar buxhetin për tremujorin e fundit dhe nga fondi rezervë i ka dhënë kësaj Bashkie më pak para për festime se sa bashkisë së Tiranës.“Për protokollin e shtetit flet presidenti i vendit dhe kryeministri është i ftuar. Ku është i pari i shtetit?. Kush të vijë nga qeveria në 27 nëntor të marrë bukë me vete, dreka zyrtare do jetë më 28 dhe të gjitha ceremonitë do jenë në 28.Buxheti i bashkisë praktikisht është zero për shkak të një akti normativ.Unë deklaroj këtu se interesi dhe dëshira e qeverisë nuk ka për tu realizuar. Unë do t`i jap një lajm të hidhur Sali Berisha duke i thënë se investimet publike do të realizohen në Vlorë. Ky është një lajm i keq për të por një lajm i mirë për të gjithë qytetarët” tha Gjika.Teksa i mëshoi edhe më tepër akuzave për mungesë vizioni të qeverisë për festimet e 1 shekulli shtet, kryesocialisti, Edi Rama, tha se më 28 nëntor e gjithë PS-ja do të udhëtojë drejt Vlorës për të festuar.Në këtë ditë do të kurorëzohet edhe nisma "ngri flamurin" , ku do të prezantohen 100 ëndërrat më të bukura të të rinjve për Shqipërinë, si dhe do të çelet ekspozita për shqipëtarët jashtë kufijve.“Është për të na ardhur zor që të gjithëve që edhe në këtë rast Shqipëria tregon se sa të vjetra janë konceptet dhe sa të varfëra janë shijet e saj. Kryeministri nxjerr nga goja një lum broçkullash, kthen përmbys të vërtetat historike, lartëson figura gjysmë të zeza të historisë sonë dhe kjo ndodh ngaqë Shqipëria ka sot qeverinë që nuk e meriton, kremtimi larg asaj që meritojmë.Nisma do të fillojë të aktivizohet të hëhën e ardhshme dhe ne do të ftojmë të gjithë ata që kanë një ëndërr për Shqipërinë e nesërme, që kanë një ëndërr për familjen e tyre në raport me atdheun tonë të përbashkët që të bëhen pjesë e kasë nisme. Kjo është një nismë që ne do ta kurorëzojmë në Vlorë në 28 nëntor duke mbledhur së bashku 100 ëndërrat më domethënëse, dhe do të ftojmë 100 të rinjë të cilët duan ti ndjamë me ne ëndërrat e të nesërmes” tha Rama.Kreu i opozitës, i kërkoi për herë të parë kryeministrit Sali Berisha të negociojë marrëveshjen e kufinjve detarë me Greqinë. Pakti që i fal shtetit helen 300 km katrorë det, tha Rama, është antikushtetues dhe plotësisht i renegociueshëm.“I bëj apel kryeministri që të bëjë gjithçka që i takon në respekt të historisë dhe të kushtetutës për ta rinegociuar dhe për ta mbyllur këtë burim konflikti që mund të bëhet pengesë për ardhmërinë e dy vendeve tona dhe dy popujve që meritojnë të zhvillohen. Rinegocimi duhet të bëhet duke u bazuar në domosdoshmëri që mes dy vendeve të ketë harmoni dhe bashkëpunim dhe një këndërvështrim të përbashkët për rajonin” tha Rama.Sipas Ramës historia e vendeve fqinje ka treguar se çështje të tilla kthehen në pengesë për të ardhmen e vendeve fqinje.