Mirë se vjen në Shqipëri znj. Klinton!
Vizita zyrtare e sekretares së Shtetit, Hillary Klinton, bashkëshortes së ish-presidentit Klinton, të cilët janë miq të veçantë të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, përbën lajmin më të rëndësishëm në kuadër të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, në prag të kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.Vizita e sekretares së Shtetit, znj. Klinton në Shqipëri, është vazhdim i politikës së SHBA, si shteti më i fuqishëm i botës, i cili ka qenë një aleat dhe mbështetje për Shqipërinë e shqiptarët, që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer në ditët e sotme. SHBA kanë kontribuar në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë (presidenti Wilson, 1919), në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.Askush më shumë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e flaktë për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. E tillë ishte edhe Shqipëria, e cila përjetoi demokracinë vetëm pas viteve ‘90.Vizita e sekretares së Shtetit, Klinton, është treguesi më i mirë se marrëdhëniet midis SHBA me Shqipërinë janë të shkëlqyera. Nga ana tjetër, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. E për këtë nuk duhet të ketë xhelozi se kush ishte në drejtim të qeverisjes kur u anëtarësuam në NATO, kur Kosova u shpall e pavarur, kur presidenti Bush vizitoi Shqipërinë…etj!Gjatë këtyre 20 viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë. Në këtë kuadër, një rol të veçantë, krahas personaliteteve të tjera të larta amerikane, ka luajtur edhe çifti Klinton. Presidenti Klinton dhe sekretarja e Shtetit, znj.Klinton, meritojnë vlerësimet më të veçanta nga të gjithë shqiptarët, qofshin në Shqipëri, Kosovë, Amerikë dhe kudo që ata ndodhen. Në prag të kësaj vizite të sekretares së Shtetit, znj.Klinton në Shqipëri e Kosovë, natyrshëm të gjithë kujtojmë mesazhet e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovë se: “Ne bëmë luftën, ju (shqiptarë të Kosovës) duhet të bëni paqen.” Dhe sot shqiptarët kanë bërë realitet mesazhin e presidentit Klinton për stabilitet e paqe. Të dy (presidenti Klinton dhe sekretarja Klinton) janë kontribuues të paqes, demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë.Vizitat e sekretares së Shtetit, znj.Klinton, do të gjenerojë stabilitet dhe siguri më të madhe për Ballkanin.Vizita e sekretares së Shtetit, Hillary Klinton, në rajonin e Ballkanit, është në kuadër të partneritetit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës për të përballuar sfidat e sotme globale. Shtetet e Bashkuara dhe Europa po veprojnë së bashku për të zgjeruar shanset, për të çuar përpara demokracinë, për të forcuar më shumë institucionet e pavarura, dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor.Europa dhe në veçanti vendet e Ballkanit sot janë më të sigurta se kurrë më parë si rezultat i partneritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Bashkimin Europian. Natyrisht të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në rajon kanë mbetur shumë çështje të rëndësishme të pambaruara, të cilat kërkojnë intensifikim të bashkëpunimit midis SHBA-ve dhe BE. Kjo evidentohet edhe në faktin se znj. Klinton gjatë vizitave në Beograd dhe Prishtinë do të jetë e shoqëruar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, znj. Ashton, ku synohet për të avancuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për të inkurajuar hapat konkretë që do t’i lejojnë këto vende të përparojnë në rrugëtimet e tyre përkatëse për anëtarësim në BE.Vizita e sekretares së Shtetit, znj.Klinton, është rikonfirmim se SHBA ka kontribuar në harmonizimin e politikave rajonale, të cilat kanë gjeneruar stabilitet dhe siguri më të madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Europës Juglindore. Strategjia e SHBA-ve është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që ka SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë, respektin për pronën private etj.Vizita e sekretares së Shtetit Hillary Klinton në rajon, sipas mendimit tim, është në vazhdimësi të mesazhit të Departamentit të Shtetit, e përcjellë nga znj.Klinton në fjalimin e saj në Paris, në janar të vitit 2010, ku theksonte se: “Për ta mbajtur Europën të sigurt, duhet të mbajmë të hapura kanalet e komunikimit, duke qenë të drejtpërdrejtë mbi politikat dhe përqasjet tona… Synimi ynë duhet të jetë një kuadër modern sigurie që forcon parimet e integritetit territorial, mospërdorimin e parë të forcës, transparencën dhe të drejtën e vendeve pritëse për të miratuar stacionimin e trupave në territorin e tyre.”Natyrisht, në kuadër të këtyre vizitave të sekretares së Shtetit, znj.Klinton, një rol të rëndësishëm ka edhe vizita në vendin tonë si një vend anëtar i NATO-s, i cila ka dhënë një kontribut të veçantë për paqen dhe stabilitetin në rajon.Sekretarja e Shtetit, znj.Klinton, duke qenë një njohëse shumë e mirë e Shqipërisë, e di se kombi shqiptar në rrugëtimin për pavarësi u kalit nga luftërat, duke kundërshtuar çdo armik dhe duke mbështetur çdo mik për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë dhe për këtë znj.Klinton, krahas mesazheve politike, do t’u urojë të gjithë shqiptarëve 100-vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë.Gjithashtu, risi e vizitës së sekretares së Shtetit, znj.Klinton në Shqipëri, ndryshe nga personalitetet e tjera të rëndësishme të SHBA që kanë vizituar Shqipërinë, ka të bëjë me fjalën e rëndësishme të saj në Parlamentin shqiptar. Mesazhi i saj në prag të 100-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë, do të jetë mesazh për të gjithë klasën politike shqiptare, do të jetë mesazh për një prosperitet dhe begati më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.Dhe për këtë çdo shqiptar shpreh urimin “Mirë se vjen në Shqipëri znj.Klinton!”.Sot më mirë se kurrë të gjithë duhet ta dimë se të bashkuar mund të bëjmë gjithçka, ndërsa të ndarë mund të bëjmë shumë pak, pasi do të jetë më e vështirë të përballemi me sfidat e fuqishme që kemi përpara.Natyrisht, shqiptarët do të mirëpresin në Shqipëri sekretaren e Shtetit me flamurin shqiptar dhe atë amerikan, për të shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë dhe po i japin në mënyrë të vazhdueshme Shqipërisë dhe kombit shqiptar për forcimin e demokracisë. Dhe gjatë kësaj mikpritjeje, do Zoti nuk do të kemi lajme dezinformuese, siç ishte lajmi për “vjedhjen e orës” gjatë vizitës së presidentit Bush në Shqipëri. Shpresoj dhe besoj se “sajuesit e atij lajmi” e kanë kuptuar se vizita e mëparshme e presidentit Bush dhe kjo e sekretares së Shtetit, znj.Klinton, kanë qenë dhe janë në mbështetje të prosperitetit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të rajonit.(Panorama)