Amnistia e paragjykuar për 100-vjetorin
Është e natyrshme që në festën e madhe të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, krahas iniciativave të tjera, ta konsideroj me një rëndësi te veçantë edhe nismën e ndërmarrë në interes të një kategorie të veçantë të shoqërisë shqiptare, atë të të dënuarve me privim lirie. Fjala është për projektligjin e paraqitur lidhur me amnistinë.Historiku i dhënies së amnistive në Shqipëri është i hershëm, prandaj unë do ta nisja me atë të 6 janarit 1986, me rastin e 40-vjetorit të shpalljes së Republikës; duke vazhduar me 24 nëntorin 1994, me rastin e 50- vjetorit të çlirimit të atdheut; me 27 marsin 1997, propozuar nga qeveria e Pajtimit Kombëtar; me amnistinë e 16 majit 2002; dhe së fundi, atë të 13 janarit 2007. Pra, në 26 vjetët e fundit, janë shpallur 5 amnisti.Për hir të së vërtetës, dy kanë qenë amnistitë më të mëdha: ajo e vitit 1986 dhe ajo e vitit 1997. Të gjitha amnistitë e tjera kanë qenë të papërfillshme, dhe shpeshherë thjesht për statistikë.Në këndvështrimin tim, amnistitë nuk kanë vetëm karakter rehabilitimi, por më së shumti unë konstatoj faktin se ato kanë një impakt jo të vogël në shoqëri. Një gjë të tillë e tregojnë edhe statistikat, ku amnistitë në çdo rast kane qenë me vlera, sepse pjesa dërrmuese e përfituesve prej këtyre amnistive, kanë mundur të integrohen më së miri në shoqëri.Drafti i paraqitur nga Ministria e Drejtësisë në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë në përgjithësi është i paragjykuar, dhe posaçërisht është përjashtues, diskriminues dhe në një farë menyre selektiv.Projektligji në fjalë rezulton thellësisht diskriminues për të dënuarit me burgim, pasi neni 4 i tij i përjashton ata nga përfitimi prej kësaj amnistie, gjë që bie në kundërshtim me ligjin penal 90% të tyre.E theksoj këtë, pasi të gjitha kriteret për përfitimin e amnistisë të parashikuara në nenin 3 të draftit, të cilat i janë hequr padrejtësisht pjesës dërrmuese të të dënuarve, ua jep pa përjashtim vetë Kodi Penal me dispozitat e parashikuara në nenet 58-71 të tij, “Alternativat e dënimit me burgim”.Për ta konkretizuar që ky draft është përjashtues dhe selektiv, po marr disa shembuj:Është amnistuar plagosja e rëndë me dashje me pasojë vdekje; dhe është ndaluar amnistia për plagosjen e rëndë nga pakujdesia gjatë shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor (aksidentet automobilistike), ku personi i dëmtuar ka mbetur gjallë.Është amnistuar marrëdhënia seksuale duke shpërdoruar detyrën; dhe është ndaluar amnistia për të gjitha krimet e tjera seksuale. Pra, vetëm për punonjësit me funksione publike dhe shtetërore!!Është amnistuar vrasja nga pakujdesia, e cila cilësohet nga ligji si krim; dhe është ndaluar amnistia për heqjen e paligjshme e lirisë, që cilësohet me ligj si kundërvajtje penale.Është amnistuar kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore; dhe është ndaluar amnistia për vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit, si dhe vjedhjen duke shpërdoruar detyrën.Është amnistuar pornografia me të miturit, e cila dënohet deri në 5 vjet burgim dhe me gjobë deri në 5 milionë lekë; dhe është ndaluar amnistia për shfrytëzimin e prostitucionit, vepër kjo që dënohet vetëm me burg deri në 5 vjet.Po kështu, shembujt janë të shumtë, por do të veçoja dhe të dënuarit të cilët kanë dënime më të rënda (me burgim të përjetshëm dhe me dënime 25 vjet), të cilët padrejtësisht janë të përjashtuar në këtë amnisti, që e theksoj se është një rast i veçantë, pasi amnistia këtë radhë jepet në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe duhet të përfitonte dhe kjo kategori të dënuarish.Të mos keqkuptohemi, nuk bëhet fjalë për lirimin e tyre, por për zbutje të dënimit të tyre. Pasi, në fund të fundit, misioni i institucioneve të burgimit, krahas ruajtjes për ndëshkimin e marrë nga gjykata, kanë një mision dhe karakter rehabilitues që nesër këta individë do t’i bashkëngjiten shoqërisë si qytetarë të denjë dhe jo si “kriminelë”. Aq më shumë që prapa këtyre individëve qëndrojnë fëmijët dhe familjet e tyre, të cilët unë do t’i quaja “bashkëvuajtës”, njëlloj si ata të cilët qëndrojnë gjatë gjithë kohës së dënimit (dhe jo pak, por 25 vjet apo gjithë jetën, por ata që janë dënuar me burgim te përjetshëm) te dera e burgut me çanta ushqimesh e rrobash.Dikush mund të thotë kanë bërë krime dhe le ta vuajnë, natyrisht për krimet e kryera e kanë marrë një dënim, pra janë ndëshkuar, por shteti duhet të ndërhyjë me politikat e tij rehabilituese.Të hapësh burgje të reja pa fund, do të thotë të hapesh varreza për shoqërinë, pasi këto nuk janë spitale apo shkolla që t’i shërbejnë gjithë komunitetit, por vetëm një kategorie të veçantë.Në fakt, qeveria mburret që ka hapur vetëm vitet e fundit burgje pothuajse në çdo prefekturë (vetëm në Tiranë janë 5 të tilla). Cili është rezultati i luftës ndaj kriminalitetit në vend?Shifrat janë tronditëse, nga njëra anë kemi shtim të burgjeve, dhe nga ana tjetër krimi është rritur gati më shumë se dy herë në krahasim me vitin 2005. Sot ndodhin rreth 1300 krime më shumë çdo vit, dhe shumica e krimeve nuk arrijnë të zbulohen. Kjo ka bërë që sot numrin më të madh të të burgosurve e zënë ata që vjedhin kapakë pusetash, celularë, ndërsa kriminelët që vrasin çdo ditë,… “ikin në drejtim të paditur”…E solla këtë shembull për të treguar që nuk është kjo arsyeja që qeveria gjoja po kufizon amnistinë në kuadrin e luftës ndaj kriminalitetit, por mungon strategjia e luftës ndaj krimit, hedhja në rruge e specialistëve dhe ekspertëve dhe zëvendësimi me militantë të partisë në pushtet.Si përfundim, do të thosha që jemi në kohen e duhur të gjykojmë me gjakftohtësi dhe larg pasioneve politike, që ta zgjerojmë mundësinë për të përfituar më shumë individë nga kjo amnisti, në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar.(Panorama)