Dhoma Amerikane e Tregtisë: Bashkëpunim me çdo qeveri

Pas kundërshtimeve të fundit Dhoma Amerikane e Tregtisë zbut tonet kundrejt qeverisë shqiptare.Në një deklaratë për mediat  kjo organizatë thekson se në vijim të takimit të fundit të Kryeministrit Sali Berisha dhe investitorëve të huaj, Bordi Drejtues i Dhomës Amerikane dëshiron të evidentojë edhe njëherë bashkëpunimin e vazhdueshëm  për  zhvillimin e mëtejshëm të klimës së Biznesit në interes të bizneseve amerikane, bizneseve vendase dhe atyre të huaja që operojnë në Shqipëri.Dhoma Amerikane e Tregtisë  e përcakton si objektiv themelor bashkëpunimin e frytshëm me qeveritë shqiptare.Gjatë punës së saj, Dhoma Amerikane është përpjekur të bëjë të njohur nëpërmjet dialogut të gjitha objeksionet, komentet, duke paraqitur edhe propozime për çështje dhe fenomene shqetësuese që ndikojnë në zhvillimin e biznesit të anëtarëve të saj.Sipas deklaratës kjo është konsideruar si një formë konstruktive e bashkëpunimit dhe ndihmon të dyja palët që të njihen me çështjet dhe të gjejnë rrugët e zgjidhjes për të rritur mundësitë e zhvillimit të biznesit në vend.Dhoma Amerikane shprehet se është e vendosur të vazhdojë të punojë për të përmirësuar të gjithë elementët e tjerë të nevojshëm dhe gjen me vend të sigurojë edhe njëherë opinonin publik dhe anëtarët e saj se do të vazhdojë të diskutojë për të bërë të mundur një klimë sa më pozitive investimesh dhe biznesi në Shqipëri.Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private dhe e pavarur e biznesit, e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.