Berisha:Krijimi i vendeve të reja të punës, kryefjala e programit tonë
Partia Demokratike mbledhë sot Konventën për punësimin ku do të diskutohet edhe për rritjen e pagave gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës të kësaj force politike.Në një mesazh në profilin e tij në Facebook, kryeministri Berisha ripërsëriti se krijimi i vendeve të reja të punës është kryefjala e programit të Partisë Demokratike."Të dashur miq! Sot mblidhet Konventa e Partisë Demokratike për punësimin dhe paga më të larta. Shëndeti, familja dhe puna janë tre bekimet e mëdha të Zotit për njeriun e lirë. Në 4 vitet që shkuan, zgjerimi i lirisë ekonomike, përmirësimi i ndjeshëm i klimës së biznesit, anëtarësimi në NATO bënë të mundur që në Shqipëri të investohen në industri, telekomunikacion dhe teknologji të lartë, hidroenergji, turizëm, infrastrukturë, bujqësi dhe degë të saj, nga investitorë të huaj e vendas dhe buxheti i shtetit rreth 12 miliard dollarë, me të cilat u krijuan 200 mijë vende pune, çka sipas Komisionit Europian bëri që Shqipëria të ketë një rritje ekonomike 4 herë më të madhe se sa rajoni dhe të jetë vendi i vetëm që nuk pati rritje por ulje të papunësisë” shkruan kryeministri.Kryeministri Berisha ka premtuar krijimin e 250 mijë vendeve të punës si dhe investime të mëdha në sektorin publik dhe privat."Ne jemi ndryshimi! Në 4 vitet që vijnë ne do të krijojmë 250 mijë vende pune. Ne do ta arrijmë këtë me rritjen e investimeve të huaja me 30%, pra nga 4 në 6 miliard dollarë. Katër vitet që vijnë vetëm në kaskadën e Devollit, TAP dhe gazifikimin e vendit do investohen mbi 2 miliardë dollarë. Po kështu do rriten me 30% investimet e sektorit privat, vendas dhe atij publik. Ne mbajmë premtimet tona!” ka përfunduar mesazhi i kryeministrit në Facebook.