Prokurori Llalla, urdhëron proçedimin penal për nxjerrje të sekretit hetimor
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka urdhëruar Prokurorinë e Tiranës të regjistrojë proçedimin penal për nxjerrje të sekretit hetimor dhe shkelje të rëndë të privatësisë së shtetasve gjatë hetimit të disa rasteve të javëve të fundit.Prokurori i Përgjithshëm e ka vlerësuar të patolerueshëm faktin që të dhëna që gjenden në fashikujt çështjeve në hetim të bëhen publike, duke dëmtuar së pari integritetin moral dhe personal të personave të goditur nga krimi dhe nga ana tjetër, duke cënuar rëndë cilësinë e hetimit të veprave të rënda penale.Për të zhvilluar një proçedim të drejtë dhe gjithëpërfshirës, Prokurori i Përgjithshëm, ka urdhëruar zëvendësimin e prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore që kanë zhvilluar hetime mbi disa nga çështjet me impakt të madh në opinionin publik të këtyre ditëve.Ky hetim do të ndiqet me përparësi dhe çdo material do të analizohet nën mbikqyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm.Nga ana tjetër, duke u bazuar në ligjin organik të Prokurorisë, Llalla garanton se do të dëshmojë ashpërsi ndaj prokurorëve që publikojnë të dhëna të çështjeve në hetim, të çdo natyre dhe për çdo qëllim.Prokurori i Përgjithshëm garanton gjithashtu se organi i akuzës ka prioritet transparencën me publikun dhe median dhe në asnjë rast nuk do të cënohet e drejta për informim. Por kjo transparencë nuk duhet në asnjë moment të dëmtojë cilësinë e aktivitetit institucional dhe për më tepër të sjellë dëme të pariparueshme në jetën e personave, të cilët janë viktima të veprave penale.